Edhe kaq bileta kanë mbetur për ndeshjen Kosovë – Azerbajxhan
Për herë të parë, Federata e Futbollit të Kosovës në bashkëpunim me “Alt 4” është duke bërë shitjen e biletave online. Derisa gjatë ditës është raportuar se ka pasur parregullsi dhe rënie të sistemit, kështu nuk thonë nga Federata e Futbollit të Kosovës
Kosovë-Azerbajxhan është ndeshja e fundit në Ligen e Kombeve e Kosovës, e cila do të zhvillohet të martën më 20 nëntor në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.
Derisa në dy ndeshjet e kaluara, për atë kundër Ishujve Faroe dhe Maltës, ishin krijuar radhë të gjata të njerëzve para dyqaneve të IPKO-së, sidomos në Prishtinë, këtë herë FFK në bashkëpunim me një kompani ka vendosur që të bëj shitjen e biletave online.
Mediet raportuan që sapo biletat ishin dalë në shitje, sistemi kishte rënë dhe nuk ishte mundur që të procesohet me blerjen e tyre.
“Nga informacionet që kam marrë, biletat janë duke u shitur normalisht, çdo minutë dhe kërkesat janë të shumta. Shumë tifozë kanë vërshuar faqen apo aplikacionin ku bëhet shitja. Por, sigurisht ka gabime gjatë procedimit te të dhënave në kompjuter”, ka thënë për Gazetën Express, Arianit Ahmeti zyrtar për media i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Sipas Ahmetit, gjithçka është duke shkuar sipas planit të paraparë, edhe pse me disa vështirësi të vogla.
“Deri me tani kanë mbetur edhe 5613 bileta pa shitur, pra deri në momentin e fundit kur kam kontaktuar me kompaninë, ky numër mund të zvogëlohet”.
Ahmeti ka shtuar se normalisht procesi është përcjell me vështirësi, por kjo është e kuptueshme.



