Edhe një tjetër ftesë nga Gjykata Speciale
Kryetari i degës së PDK-së në Klinë, ish-kryetari i kësaj komune, Sokol Bashota është nisur për në Hagë. Lajmin e ka kumtuar miku i tij nëpërmjet rrjetit social, “Facebook”.
Ai thotë se Bashota është nisur për në Hagë për të dhënë dëshmi në Dhomën e Specializuar.
Postimi i plotë:
Sokol Bashota shkoi në Hagë, nesër intervistohet
Zëvendëskomandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sokol Bashota, sot, në orën 9.00, nga Aeroporti “Adem Jashari”, pa bujë të madhe mediale dhe pa rrjete sociale, u nis për të dhënë dëshmi në Gjykatën Speciale në Hagë për ushtrinë çlirimtare të Kosovës dhe për detyrat e veta në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Ai nesër (e hënë) për tri orë do të merret në pyetje nga prokurorë të Dhomave të Veçanta. Para nisjes për Hagë me të bëra një bisedë nëpërmjet telefonit. Ai më tha se është i lumtur që i është dhënë mundësia – nga historia dhe nga bashkëveprimtarët e parë – që të japë kontribut në shërbim të atdheut gjatë luftës së shenjtë të UÇK-së dhe pas saj për ndërtimin e institucioneve shtetërore të vendit tonë. Po ashtu, më tha se “edhe pse është bërë përpjekje që sa vjet të njolloset, lufta e UÇK-së nuk ka nevojë të mbrohet nga askush, sepse është e pastër, se atë e mbron lavdia e saj dhe gjaku i dëshmorëve të rënë për ta fituar lirinë. Ndërkaq, atdheut dhe popullit do t’i shërbej sa herë që kanë nevojë për mua. E ata që dyshojnë, për luftën e drejtë tonën, njerëzore dhe të pastër të UÇK-së, do të shkoj të dëshmoj kudo që më thërrasin”.
Në fotografi është avokati i tij, Taulant Hoda, i cili do ta mbrojë në Hagë. 



