Edhe zyrtarë të Vetëvendosjes në Vatikan
Papa Françesku sot do të shenjtërojë Nënën Terezë, të cilës më parë iu njohën dy mrekulli, gjë që hapi rrugën që ajo të kthehet në Shën Tereza.
Në ceremoninë e shenjtërimit, e cila tashmë veçse ka filluar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, përveç qindra mijëra qytetarëve, po marrin pjesë edhe delegacione shtetërore nga së paku 15 shtete botërore.
Në mesin e tyre janë edhe zyrtarë shtetërorë të Kosovës, nga kreu i shtetit, Hashim Thaçi, e deri tek ministra e deputetë vendorë.
Aty janë parë edhe zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, kryetar i VV-së, Dardan Sejdiu, nënkryetar i Komunës së Prishtinës dhe Aida Dërguti, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.
Dje është mbajtur një koncert në Bazilikën e Shën Pjetrit, në nder të shenjtërimit të Nënës Terezë, ku morën pjesë emra të shquar të artit shqiptar.



