Edi Rama me tone të ashpra në mbrojtje të Ballukut: Kërkesa e SPAK`ut, një budallëk!
Në një fjalim me tone të ashpra nga mbledhja e grupit parlamentar socialist, Kryeministri Edi Rama ka dalë në mbrojtje të ish-ministres Belinda Balluku, duke sulmuar ashpër Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe median lidhur me kërkesën për autorizimin e arrestit të saj.
Kryeministri e cilësoi të gjithë procesin si një “budallëk” të paprecedentë dhe akuzoi drejtësinë se po përdor mediat si “forca paramilitare” për asgjësimin publik.
Sipas kreut të qeverisë, akuza ndaj Ballukut nuk ka të bëjë me vjedhje apo korrupsion, por vetëm me dyshimin për “pabarazi në tendera publik”, një vepër penale e pretenduar të ketë ndodhur gjashtë vite më parë.
Ai theksoi se e gjithë kjo akuzë bazohet në disa mesazhe të gjetura vite më vonë në celularin e një ish-drejtori, një fakt të cilin e quajti “ende krejt të pahetuar”.
Rama përdori një gjuhë plot metafora për të kritikuar mënyrën se si çështja është trajtuar mediatikisht dhe politikisht.
Ai deklaroi se historia u servir si “gjellë qensh në 700 tenxheret e gjyqit politik dhe mediatik”, duke akuzuar grupet hetimore se i përdorin mediat “si forca paramilitare të fajësimit dhe të asgjësimit publik”.
Kryeministri rrëfeu edhe kronologjinë e ngjarjeve, duke nisur me masën e parë të pezullimit të Ballukut nga detyra si anëtare e kabinetit, të cilën e quajti “absurde” dhe një “turravrap të pakuptueshëm”.
“Pezulloi faktikisht funksionin, jo thjesht personin. Prandaj edhe nuk ka ndodhur kurrë, me askund tjetër në botë, një budallëk i kësaj natyre,” tha ai.
Ai shtoi se kërkesa për arrest erdhi si një “turravrap i dytë” pikërisht pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi masën e parë, pas ankimimit të bërë nga mazhoranca.
Në fjalën e tij, Rama ironizoi imazhin publik që, sipas tij, i është krijuar ministres përmes një fushate mediatike. Ai përmendi në mënyrë sarkastike pretendimet për “300 vila, dy jahte”, e deri te narrativat absurde se “rrugët u shembën nga korrupsioni” dhe “deti u bë kos” gjatë kohës së saj në detyrë.
Kryeministri tha se e gjithë kjo përpjekje synon ta kthejë Belinda Ballukun “në shtrigën që duhet djegur”, duke e paraqitur atë si viktimë të një gjuetie shtrigash të orkestruar politikisht e mediatikisht.
PS rrëzon kërkesën e SPAK, Manja: Ja pse mazhoranca nuk e autorizon arrestimin e Belinda Ballukut
Pjesë nga fjalimi i Edi Ramës:
Ndaj Belinda Ballukut është ngritur një akuzë që në vitin e shkuar, jo për vjedhje, jo për korrupsion, dhe gjë sendi tjetër të lidhur me ndonjë skenë krimi apo flagrancë në kryerjen e një vepre të rëndë penale, po vetëm për dyshimin e arsyeshëm se në cilësinë e ish-ministres së infrastrukturës dhe energjisë, ka kryer veprën penale pabarazi në tendera publik.
Gjashtë vite më parë, bazuar në disa mesazhe të gjetura vite më vonë në celularin e një ish drejtori. Dhe mbi këtë fakt, ende krejt të pahetuar aso kohe, por si rëndomtë servirur më parë përmes korrierësh që hyjnë e dalin tek kuzhina e stacionit të trenit, si gjellë qensh në 700 tenxheret e gjyqit politik dhe mediatik, u vendos fillimisht me një turravrap të pakuptueshëm, nga prokurori dhe gjykatësi i seancës paraprake, pezullimi i anëtares së kabinetit qeveritar.
Një masë absurde, që siç e kemi shpjeguar më parë, pezulloi faktikisht funksionin, jo thjesht personin. Prandaj edhe nuk ka ndodhur kurrë me askund tjetër në botë, një budallëk i kësaj natyre. Pastaj, pa pritur fare përfundimin e procesit, të hapur prej nesh në Gjykatën Kushtetuese, për ndërhyrje të patolerueshme në kompetencat e pushtetit ekzekutiv, sapo gjykata e pezulloi masën e pezullimit dhe deklaroi se do t’i hynte çështjes në themel, erdhi turravrapi i dytë. Kërkesa që diskutojmë sot.
Dhe e diskutojmë me të drejtën që na jep kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, për të autorizuar ose jo arrestin e një deputeti, gjë për të cilën do flas konkretisht ca më poshtë. Thjesht njoftimi i akuzës, në rrugën e shtrembër dhe fatkeqësisht të bërë zakon nga grupet hetimore të stacionit të trenit, të cilat i përdorin mediat si forca paramilitare të fajësimit dhe të asgjësimit publik të subjekteve të tyre, mjaftoi që ndaj Belinda Ballukut të ngrihen të tëra dallgët e detit të urrejtjes, që zien e zien e zien pa pushim, në të 700 tenxheret e pazarit tonë politik e mediatik, dhe të mblidhen të tëra retë e fantazive perverse të rrjeteve sociale, për ta kthyer njeriun në një kriminel me 300 vila, dy jahte, 10.000 euro solucione magjike për një larje makine.
Ndërkohë, rrugët e ndërtuara në periudhën e drejtimit të saj u shembën që të gjitha nga korrupsioni. Shirat u derdhën me gjyma dhe përmbytjet mbuluan edhe malet e Shqipërisë nga mungesa e kanaleve të vjedhura prej saj. Deti u bë kos për qenërinë e pazarit politik dhe mediatik dhe erdhi më në fund me thirrje histerike jashtë derdhesh në bulevard, e shumëpritura orë e hakmarrjes së madhe ndaj njeriut që e çoi Partinë Demokratike për jufka në Dibër dhe e asfaltoi krejt në Fier.



