Elezi: Ka nisur numërimi i fletëvotimeve të fundit, KQZ gati për shpalljen e rezultateve përfundimtare
Zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka konfirmuar se ka nisur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Sipas Elezit, rreth orës 20:00 ka filluar numërimi i mbi 3 mijë fletëvotimeve që gjatë ditës janë sjellë në Kosovë, duke shënuar kështu fazën përfundimtare të procesit të numërimit.
“Mund t’iu konfirmoj se sonte, rreth orës 20:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve, mbi 3 mijë, që gjatë ditës janë sjellë në Kosovë”, ka deklaruar Elezi.
Ai ka bërë të ditur se me numërimin e këtyre fletëvotimeve përmbyllet i gjithë procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
“Numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”, ka theksuar ai.
Elezi ka shtuar se pas përfundimit të këtij procesi, KQZ është e gatshme të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, por ka rikujtuar se ligji parasheh edhe afatin për ankesa.
“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së.



