Emiratet e Bashkuara Arabe kërkojnë dëmshpërblim nga Irani dhe sqarime nga SHBA për armëpushimin
Emiratet e Bashkuara Arabe deklaruan sot se Irani duhet të paguajë dëmshpërblime për dëmet e shkaktuara nga sulmet e tij ndaj vendeve të Gjirit.
Në të njëjtën kohë, ato kërkuan sqarime nga Shtetet e Bashkuara lidhur me kushtet e marrëveshjes për armëpushim.
Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme të Emirateve, vendi kërkon sqarime të mëtejshme mbi dispozitat e marrëveshjes, për të garantuar angazhimin e plotë të Iranit për ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha veprimeve armiqësore në rajon, si dhe hapjen e plotë dhe pa kushte të Ngushticës së Hormuzit.
Sa i përket sulmeve iraniane ndaj shteteve të Gjirit, në deklaratë theksohet nevoja për një qëndrim të palëkundur, me qëllim që të sigurohet se Irani do të mbajë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara dhe do të detyrohet të paguajë dëmshpërblime. /Panorama



