Erdhi vonë, iku shpejt! – Lindita Halimi dhe problemi i saj i fundit në Shqipëri

Erdhi vonë, iku shpejt! – Lindita Halimi dhe problemi i saj i fundit në Shqipëri

Këto takime, pa shumë bujë mediatike por të shpërndara në Facebook, realizohen shpesh nga artistë rajonalë e më gjerë, shkruan konica.al. Një formë e re për Shqipërinë dhe marrëdhënien artist-publik.

Lindita, ndoshta e pushtuar nga euforia e mediave ndërkombëtare (më pak shqiptare) të cilat e konsiderojnë ndër më të preferuarat në Eurovizion, mbase edhe nga mbështetja që ka në Facebook e Instagram, vendosi kështu të bëjë diçka të re në atë që quhet “showbiz-i shqiptar”.

Ne jemi të bindur që në këtë treg pa industri muzikore, pa rregulla loje, pa të drejta autori, pa manaxhim artistik të vazhdueshëm, vetëkënaqja që bëjnë shumica e këngëtarëve shqiptarë si “yje të showbiz” është krejtësisht qesharake. Gjithsesi, Lindita, edhe pse dukshëm bën diferencën nga çka tregu ofron, provoi të bënte diçka ndryshe. Menduam ne që ajo, e mësuar me tregun amerikan, me rregullat atje, me metodat moderne manaxheriale, do të kishte sukses në këtë takim fansash, kaq publik, pa mikrofona e drita skene. Besuam, uruam, ndaj u nisëm për te ajo.

Vonoi, pritëm rreth një orë. Lindita vijon të këtë disa zakone shqiptare, p.sh., vonesën. Dikush tha nën zë “Eh, kështu e kanë këto, do ikë në Eurovizion ajo…”.

Kafja ishte shoqëruesi më i mirë i pritjes, edhe pse çudia na shoqëroi gjithmonë e më shumë. Jo pse, “diva” ose jo, po vonohej. Meraku ishte tjetërkund… S’kishte turma fansash, as radhë pritjeje, asgjë.

Lindita tejet spontane, mbërrin më në fund dhe menjëherë pas saj u bashkuan 10 të rinj. Çfarë ndodhi? Kaq mbështetës ka Lindita në Tiranën 1 milionëshe? Kanë komplekse ndjekësit e saj edhe në një takim kaq origjinal? Mos vallë ata që nën zë e thumbuan për vonesën prej dive, nuk e kapërdijnë dot suksesin e saj dhe zgjedhin ta braktisin?

Po sikur Lindita të ketë sukses në Eurovision? Fitorja, për shumë arsye, është e pamundur, jo për faj të saj. Ajo mund të na japë një përfaqësim emocionues, ndoshta edhe renditje të mirë. Vetëm atëherë do të shkruajmë për të, do të krenohemi, e mbase do të mbushim të njëjtin ambient ku ajo i ftoi të gjithë dhe erdhën shumë pak? Lindita mund të sjellë nga Amerika metoda të reja të manaxhimit artistik me publikun, por kjo, me sa duket, nuk mjafton për një publik të rritur me një tjetër mendësi.

Ata do të të duan, do të të vijnë nga pas, do të dedikojnë statuse vetëm kur “Bota” (si titulli i këngës së saj) të vlerësojë. Siç bëmë së fundmi me Ermal Metën. U kujtuam të krenoheshim me të kur ai rrëmbeu çmime, jo për Shqipërinë që s’e mbajti dot, por për artin e tij.

Njëjta gjë edhe në pasditen e mes shkurtit. Lindita erdhi vonë, iku shumë shpejt. Shumë pak e pritën. Të tjerë, si ne që ishim atje, do ta presin në një tjetër kafe, edhe kur të rikthehet nga Kievi. Le të mësojë edhe ajo nga publiku shqiptar, është një mister më i madh sesa milionat e tregut amerikan.

Shpërndaje në: