Falcao dhe Coentrao milionerë mashtrues, fshehën të ardhurat
Shumë yje të futbollit tentojnë që të fshehin të ardhurat e tyre për të mashtruar organet fiskale. Një gjë të tillë së fundmi e kanë bërë dhe dy lojtarë të njohur: Radamel Falcao dhe Fabio Coentrao.
Seksioni i Krimit Ekonomik në Madrid ka përvijuar hetimet ndaj dy futbollistëve të njohur për periudhën 2012-2014, dhe sipas dosjes, dy protagonistët janë ngarkuar me 5 akuza. Radamel Falcao, sulmuesi kolumbian që aktivizohej me Atleticon e Madridit, nuk deklaroi 5.6 milionë euro të fituara nga të drejtat e imazhit.
Ndërkohë, mbrojtësi portugez Coentrao, pjesë ende e Realit të Madridit, nga i njëjti burim të ardhurash nuk deklaroi në Tatime 1.3 milionë euro.
Sipas Prokurorisë, të dy futbollistët kanë qenë në dijeni të rrezikut, por kanë fshehur milionat në kompani fantazmë në Kolumbi dhe Ishujt Virxhin, konkretisht Falcao, dhe në Irlandë për Coentraon, me shpresën se nuk do të zbuloheshin.



