Faton Peci emëron të dënuarin për vjedhje të votave nënkryetar të Mitrovicës
Komuna e Mitrovicës është bërë me nënkryetar të ri. Me propozim të kryetarit Faton Peci, në këtë pozitë është emëruar Enis Osmani, një figurë e njohur për angazhimin e tij politik, por edhe për përballjen me organet e drejtësisë.
Vendimi për emërimin e Osmanit është marrë në kuadër të marrëveshjeve brenda koalicionit qeverisës lokal, ku subjekti politik Guxo ka propozuar kandidatin e tij për këtë post.
Më herët, Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar sekretaren e saj, Aida Doli, për pozitën e nënkryetares së komunës, mirëpo pas konsultimeve të brendshme dhe marrëveshjeve politike, posti i është besuar Enis Osmanit.
Osmani konsiderohet një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Pecit, ku edhe vet ai është shprehur mirënjohës ndaj mikut të tij, duke shkruar “shpreh mirënjohjen time të madhe për mikun tim, Kryetarin e Komunës, z. Faton Peci”.
“Me ndjenjë të lartë të përgjegjësisë, ju njoftoj se jam emëruar Nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut. Ky emërim përfaqëson nderin më të madh të jetës sime dhe njëkohësisht obligimin për t’i shërbyer interesit publik, duke ofruar qeverisje të mirë të bazuar në transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarit. Në mënyrë të veçantë, shpreh mirënjohjen time të madhe për mikun tim, Kryetarin e Komunës, z. Faton Peci, për besimin e dhënë dhe për mundësinë që të punojmë së bashku për realizimin e projekteve zhvillimore për Mitrovicën. Vazhdojmë kështu rrugëtimin e përbashkët, në një bashkëpunim të ndërsjellë, të ndërtuar me korrektësi dhe sinqeritet, për më shumë se një dekadë. Jam i bindur se vizioni, përvoja dhe lidershipi i tij janë një garancë e fortë për zhvillimin e madh të qytetit tonë”, ka shkruar Osmani në rrjetin social “Facebook”.
Osmani është i njohur për organet e drejtësisë, pasi në të kaluarën ka qenë i dënuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë për veprën penale “Vjedhje e votave”.
Sipas aktgjykimit, Osmani kishte falsifikuar rezultatet në zgjedhjet e vitit 2017 në vendvotimin 1115B/02d në shkollën fillore “Xhevat Jusufi” në Mitrovicë.
Ai kishte hequr dhe shtuar vota për disa subjekte politike – gjithsej 246 vota të regjistruara gabimisht: 228 të shtuara dhe 18 të hequra.
Nga këto, ishin 56 vota për PDK-në, 112 për LDK-në dhe 60 për Vetëvendosjen, ndërsa kishte hequr 8 vota për PDK-në dhe 10 për LDK-në.
Osmani u dënua me 1 mijë e 500 euro gjobë, pasi pranoi fajësinë për veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”.
Pavarësisht së kaluarës së tij ligjore, Osmani konsiderohet si njeri i afërt me kryetarin e sapozgjedhur të Mitrovicës, Faton Peci, dhe është parë edhe në video duke festuar fitoren e tij.
Enis Osmani njihet si një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe besnikë të Faton Pecit, me të cilin ka një rrugëtim të gjatë politik.



