Feronikeli me plot meritë eleminohet nga Europa League – paraqitje zhgënjyese

Feronikeli me plot meritë eleminohet nga Europa League – paraqitje zhgënjyese

Feronikeli e ka përfunduar aventurën në kualifikimet për në Europa League me një humbje zhgënjyese 2-0 nga Slovan Bratislava midis “Fadil Vokrrit”.

Ndeshja e parë në Sllovaki ishte mbyllur me rezultat 2-1 në të mirë të vendësve, derisa është pritur një paraqitje më dinjitoze nga “Nikli” në terren të vetë, shkruan Periskopi.

Mirëpo, gabimet amatore në mbrojtje dhe mungesa e ideve në sulm u kushtuan djelmoshave të Zekirija Ramadanit.

Fillimisht, Vernon De Marco realizoi në minutën e 19-të pas një krosimi në zonë nga këndorja, derisa e gjeti veten krejtësisht të pamarkuar dhe shënoi pa shumë probleme.

Në pjesën e dytë, fitoren mysafirëve ia vulosi David Holman, i cili poashtu shënoi me mjaft lehtësi ndaj një mbrojtje të hutuar vendëse.

Për ta nënvizuar edhe më shumë dëshpërimin te Feronikeli, Mevlan Zeka u përjashtua pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 89-të.

Këtu mbyllet aventura e Feronikelit në kompeticion, derisa Ramadani do të ketë shumëçka për të diskutuar me futbollistët e tij pas kësaj paraqitje.

/Periskopi.com/

Shpërndaje në: