FIFA ndryshon rregullat për shortin e Botërorit: Çfarë do të sillte për Shqipërinë

FIFA ndryshon rregullat për shortin e Botërorit: Çfarë do të sillte për Shqipërinë

Një short pas tjetrit. Brenda dy javësh do të hidhet fillimisht ai i “playoff”-eve për Kupën e Botës FIFA 2026, në të cilat me 99 për qind të mundësive do të marrë pjesë Shqipëria, dhe më pas ai i grupeve të Botërorit që verën e ardhshme do të zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara, me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve.

Shorti i “playoff”-eve të Botërorit 2026 me Shqipërinë

Të enjten, më 20 nëntor, do të zhvillohet shorti i “playoff”-eve, një moment shumë i pritur. Do të jetë emocionues për Shqipërinë, që do të luajë këtë fazë për herë të parë. Kuqezinjtë nuk janë të vendosur si kokë serie, kështu që rreziqet nuk do të mungojnë. “Playoff”-et, me gjysmëfinale dhe finale teke, do të zhvillohen në fund të marsit, kur do të zbulohet nëse, Shqipëria do të thyejë më në fund mallkimin dhe do të jetë në një Botëror.

FIFA mund të ndryshojë vazon për shortin e Kupës së Botës 2026

Të premten, më 5 dhjetor, në Uashington, do të zhvillohet shorti i Botërorit. Do të jetë një short veçanërisht i rëndësishëm, sepse prej tij do të përcaktohet edhe tabela (rruga drejt fazave me eliminim direkt), e dihet që ajo mund ta favorizojë ose dëmtojë një skuadër. Franca, Spanja dhe Argjentina mund të përfundojnë të gjitha në të njëjtën anë të tabelës, për të dhënë vetëm një shembull.

Sigurisht që shorti do të jetë “i cunguar”, ose më saktë i paplotë, sepse do të mungojnë kombëtaret që do të kualifikohen përmes “playoff”-eve, jo vetëm atyre evropiane – pasi ka edhe dy vende për “playoff”-et ndërkontinentale. FIFA po mendon për disa risi në lidhje me shortin e dhjetorit. Çështja në diskutim ka të bëjë pikërisht me skuadrat që do të dalin nga “playoff”-et.

Shqipëria në vazon e fundit në short

Në të kaluarën, të gjitha skuadrat që kualifikoheshin përmes “playoff”-eve vendoseshin në vazon e fundit, të katërtën. Çdo vazo do të ketë nga dymbëdhjetë kombëtare: ato me renditjen më të mirë në “ranking” plus tre vendet organizatore. Ndër ato me “ranking”-un më të mirë do të ishte edhe Italia, e cila megjithatë duhet ta fitojë vendin e saj përmes “playoff”-eve të marsit. Kjo natyrisht nuk vlen për Shqipërinë. Për të shmangur krijimin e grupeve të forta dhe të pabalancuara, FIFA po mendon të ndryshojë gjendjen aktuale dhe të bëjë diçka ndryshe.

Pra, nuk do të ketë më vendosje automatike në vazon e fundit për skuadrat që do të fitojnë “playoff”-et përkatëse, por një pozicionim – teknikisht virtual – në vazon përkatëse sipas renditjes së secilit “playoff”.

Nëse do të ndodhë kështu, Italia do të ishte e dymbëdhjeta dhe e fundit kokë serie, ndërsa Shqipëria në vazon e katërt (në raste kualifikimi historik). Në këtë rast hipotetik, Sylvinho do të rrezikonte një tjetër grup të fortë, por jo si në Europian, ku gjeti Spanjën, Kroacinë e Italinë. Sidoqoftë, ende nuk ka asgjë zyrtare, por FIFA po e shqyrton këtë mundësi dhe mund të vendosë ta zbatojë atë.

Shpërndaje në: