Fillon SuperLiga e basketbollit
Elita e basketbollit kosovar në këtë edicion do të numëroj gjithsej 8 skuadra, me Rahovecin në Superligë, ndërsa 2 ekipet, Sigal Prishtina dhe Peja, përveç se do të bëjnë gara në elitë dhe në Kupën e Kosovës, ato do të marrin pjesë edhe në FIBA Europe Cup.
Për bardhekaltrit ky është edicioni i dytë radhazi që janë pjesëmarrës të këtij kompeticioni të FIBA-s, ndërsa për verdhezinjtë ky do të jetë debutimi në këtë garë. Këto dy klube së bashku me Bashkimin nga Prizreni dhe Trepçën nga Mitrovica do të marrin pjesë edhe në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike.
Prishtina është kampione në fuqi e BIBL-it, kurse për Trepçën do të jetë hera e parë që luan në këtë ligë. Pra do të jetë kjo “katërshja e madhe”, e cila do të ketë më shumë ndeshje, por edhe do të jetë më shumë e ngarkuar në krahasim me 4 ekipet e tjera të Superligës. Sidoqoftë duke marr parasysh investimet që janë bërë në këtë edicion nga skuadrat e lartëpërmendura pritet që të mos mungoj rivaliteti dhe cilësia në basketbollin kosovar, duke përfshirë këtu edicionin e rregullt, garat e “play-off”-it, si dhe ato të Kupës së Kosovës.



