Fitoret e favoritëve, ndizet lufta për titull

Fitoret e favoritëve, ndizet lufta për titull

Feronikeli ka shënuar fitore të madhe në udhëtim te Trepçka 89 me rezultat minimal 1-0.

Shumë shikues ishin mbledhur për të përcjellë ekipin në serinë e pamposhtshmërisë prej tetë ndeshjeve që kishte Trepça 89.

Megjithatë, Feronikeli filloi më mirë takimin, kur Astrit Fazliu për pak sa nuk qëllo portën nga distanca.

Gavazaj menjëherë me një gjuajtje me kokë rrezikoi duke treguar synimin e Feronikelit në këtë takim.

Deri në fund të pjesës së parë Trepça pati rastin më të mirë kur Ardian Muja (45+1’) përballë portierit Florian Smakiqi nuk arriti të konkretizonte për golin e epërsisë.

Në pjesën e dytë Feronikeli vazhdoi me sulme të mëdha, derisa edhe gjeti golin me anë të Arbër Prekazit i cili bukur në zonë ka goditur me precizitet të lartë për të shënuar për epërsinë e mysafirëve (60’).

Dy minuta para fundit Përparim Islami u përjashtua nga loja duke lënë mysafirët me një lojtar më pak në teren.

Deri në fund megjithatë nuk pati ndryshime dhe Feronikeli shënoi fitore të madhë në Mitrovicë.

Kështu Feronikeli mban lidershipin në fillim të fazës së dytë të Superligës duke patur dy pikë më shumë se sa Prishtina që më 7 nëntor udhëton në Drenas për derbin e madh ku luftohet për pozitën e parë.

Llapi i kthehet fitoreve, e mund Drenicën në udhëtim
Llapi ka shënuar fitore të vështirë ndaj Drenicës në udhëtim me rezultat minimal 2-0.

Klubi llapjan e gjeti shpejt golin me anë të Bujar Idrizit pas 13 minutash lojë.

Ai shënoi një gol të bukur nga ndërprerja duke i dhënë skuadrës së tij epërsi të vlefshme.

Armend Abazi për pak sa nuk gjeti barazimin në fund të pjesës së parë, por transverzalja e mohoi.

Në pjesën e dytë Drenica intensifikoi sulmet, por Kreshnik Uka nuk arriti të mposhtë Afrim Ademi që ndali gjuajtjen e tij.

Deri në fund pati raste të vazhdueshme Drenica që nuk arriti t’i konkretizonte, madje Llapi gjeti golin e dytë në minutat e fundit për 2-0.

Me këtë fitore Llapi mban hapin në luftën për titull me tri pikë më pak se lideri Feronikeli dhe një më pak se Prishtina.

Prishtina pa probleme në Gjilan, fiton dhe mbanë hapin

Prishtina ka shënuar fitore komode ndaj Gjilanit në udhëtim me rezultat 3-0.

Klubi nga kryeqyteti hyri me synimin e qartë për të përfituar në rast të ndonjë gabimi të rivalëve dhe të mbajë hapin në luftën për titull.

Ndeshja filloi me dominim të madh të Prishtinës.

Pas 13 minutash lojë, ishte Ergyn Ahmeti ai që me një lëvizje mjeshtërore lansoi një goditje shumë të papërshtatshme për portierin Kaçiu i cili nuk arriti të reagojë për të bërë që Prishtina të ketë epërsinë pas kësaj periudhe loje.

Në vazhdim Prishtina dominoi me Mario Morinën që synoi portën.

Ishte pikërisht Morina ai që asistoi në minutën e 33-të për Meriton Korenicën, i cili me qetësi realizoi për 2-0. Ishte ky goli i parë për Korenicën në Superligën e Kosovës për klubin nga kryeqyteti.

Në vazhdim Basid Khalid pati një rast të sigurtë kur gaboi Trevin Caesar, por nuk arriti që të shënonte (44’)

Në pjesën e dytë Prishtina kontrolloi lojën me shumë siguri. Korenica pati rastin të realizojë golin e dytë, por u mohua nga Donat Kaçiu (55’).

Deri në fund Prishtina shënoi edhe një gol me anë të Lorik Boshnjakut që shënoi për 3-0 me asistim të Khalid.

Me këtë fitore, Prishtina arrin 24 pikë dh emban vendin e dytë, kurse ka dy pikë më pak se Feronikeli që triumfoi ndaj Trepçës në udhëtim.

Shpërndaje në: