Flet djali i Fadil Vokrrit: Agim Ademi po e shkatërron FFK-në, më largoi nga puna për shkak se e kundërshtova
Federata e Futbollit të Kosovës sot mbajti një konferencë të jashtëzakonshme pasi u raportua se ata e shkarkuan nga detyra djalin e legjendës Fadil Vokrri, Gramozin.
Kryetari i kësaj Federate, Agim Ademi përgënjeshtroi lajmin se e ka shkarkuar Gramozin, duke thënë se i ka ofruar punë edhe për pesë pozita të tjera dhe të zgjedh vetë se ku dëshiron të punojë.
Mirëpo, heshtjes së Gramozit i ka ardhur fundi pasi me anë të një postimi në Facebook ai ka qartësuar shumëçka dhe zbuloi detaje shokuese, shkruan Periskopi.
Ai ka konfirmuar se tash e 45 ditë nuk është më pjesë e FFK-së, dhe krejt për këtë e ka drejtuar gishtin te kryetari i tanishëm, Agim Ademi. Gramozi thotë se ka qëndruar në heshtje për hir të opinionit dhe sukseseve të fundit të Kosovës.
Sipas Gramozit, Ademi kishte premtuar se do të vazhdojë vizionin dhe frymën e Fadil Vokrrit, por sot me keqardhje thotë se FFK-ja është shndërruar në përndjekës të bashkëpuntorëve të tij.
Ai tregon se si u shkarkua vetëm pse bëri një kundërshtim, gjersa zbulon se Agim Ademi filloi të mblidhte nënshkrime qysh nga dita kur u varros babai i Gramozit.
Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të tij:
Të nderuar miq, dashamirë dhe sportdashës,
Fillimisht, jam jashtëzakonisht I befasuar me mbajtjën e një konferencë për media rreth shkarkimit tim. Besoj fuqishëm që interesi i futbollit kosovar është më i madh sesa interesat personale duke perfshi edhe vetën në këtë parim.
Ka mbi 45 ditë që nuk jam pjesë e strukturave të FFK-së pas një periudhe 6 mujore pa kontratë e as pozitë… Unë kam heshtur.
Largimin tim nga Federata e Futbollit të Kosovës nuk e kam bërë publik për opinion, sepse nuk kam dashur që në FFK të këtë turbulencë, por kam dashur ta ruaj autoritetin, integritetin dhe reputacionin e Federatës së Futbollit të Kosovës të cilin me shumë mund e ngriti Fadil Vokrri dhe bashkëpuntorët e tij të vërtetë, ndërsa Agim Ademi po e shkatërron.
Unë poashtu kam heshtur edhe atëherë kur ende pa përfunduar varrimi dhe e pamja për babain, tashmë kryetari i FFK-së, Agim Ademi kishte filluar mbledhjen e nënshkrimeve për postin që ka.
Ai kishte premtuar se do të vazhdoj vizionin dhe frymën e Fadil Vokrrit, por sot me keqardhje ju them se FFK është shëndrruar në përndjekës të bashkëpuntorëve të Fadil Vokrrit, dhe për mua më shqetësues ishte fakti se ai pretendonte që në rast mospajtimi do i shkarkonte te gjithë. Mos transparenca financiare dhe tendencat ne referim nuk kan qen asnjehere vizioni i Fadil Vokrrit për futbollin e Kosovës.
Agim Ademi me largoi nga FFK-ja për shkak se e kundërshtova, nuk u pajtova me abuzimet dhe mënyrën e udhëheqjes së tij.
Sinqerisht më vjen keq për nivelin e disa anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv dikur “miq-bashkpuntorë” të babit tim, për nënshtrimin dhe nënçmimin që ata po i’a bëjnë vetës dhe Federatës se Futbollit të Kosovës, të rreshtuar krah Agim Ademit.
Pavarësisht ku do të më dërgojnë dallgët e jetës, në Federatë apo diku tjetër, zemra ime dhe familjes time do të rrah bashk me zemrën e futbollistëve të Kosovës, për të përjetuar emocionet që ata na sjellin të gjithëve.
Me respekt dhe fair play
Gramoz Vokrri. /Periskopi/



