Flet i plagosuri në masakrën e Velipojës: Shkuam për të folur, por situata doli nga kontrolli
Hasan Ferracaku, i cili mbeti i plagosur në masakrën e Velipojës, ku humbën jetën 4 persona, ka dhënë dëshminë e tij lidhur me ngjarjen e rëndë. Mes viktimave të masakrës është edhe vëllai i tij, Kujtim Ferracaku.
Sipas 54-vjeçarit, Hasan Ferracakut, atë natë është bërë një debat tek shezlongët, të cilat sipas tij ishin vendosur në hapësirën e tyre.
Më tej ai ka treguar se kanë shkuar në hotelin e Gocajve për të sqaruar ndarjen e hapësirës së plazhit dhe se iu kanë kërkuar të arrijnë një marrëveshje.
Ferracaku ka treguar se Gocajt kishin shkelur në territorin e tyre, pasi ai kishte bërë një aplikim, që i kishte dhënë të drejtën për shfrytëzimin e asaj hapësirë.
Ai ka treguar se gjatë bisedës kanë nisur edhe acarimet e më pas janë përdorur armët.
Gjithashtu 54-vjeçari ka akuzuar vëllezërit Gocaj, të dy të vrarë, se kishin qëlluar vëllain e tij Kujtimin dhe se ai kishte reaguar për vetëmbrojtje. Hasan Ferracaku ka thënë se nuk ka pasur vetë armë.
“Fillimisht kemi zhvilluar një debat tek shezlongët në plazh sepse ata i kanë vendosur në vendin ku këtë vit e kemi pasur të drejtën ne pas aplikimit që kemi bërë. Pas atij debati kemi shkuar në darkë tek hoteli Gocaj për t’u sqaruar me familjen Gocaj. Jemi ulur në tavolinë për të biseduar. Ne i kemi thënë që të gjejmë një marrëveshje, pasi ata i kishin vendosur më përpara shezlongët një kohë që këtë vit kjo e drejtë ishte e jona në bazë të aplikimeve.
Ata nuk kanë pranuar duke thënë se duhet të presin derisa të përcaktohet edhe vendi i tyre. Gjatë bisedës ka nisur debati dhe gjërat janë acaruar duke bërë që të përdoren edhe armët. Ne kemi shkuar për të folur dhe për të gjetur një zgjidhje për shezlongët, por situata u acarua dhe pas krismave të armëve nuk e di çfarë ka ndodhur më. Di që ata kanë qëlluar ndaj vëllait dhe ne të tjerëve dhe në atë moment vëllai është vetëmbrojtur. Unë nuk kam qëlluar dhe kemi shkuar vetëm për të biseduar sepse janë njerëz që ne i kemi njohur dhe kemi pasur marrëdhënie të mira, por situata doli nga kontrolli”,-mësohet të ketë thënë 54-vjeçari, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës.
Si nisi konflikti
Viktima Kujtim Ferracaku i ka kërkuar vëllezërve Gocaj që të largojnë shezlongët, sepse këtë vit Agjencia e Bregdetit ia ka dhënë lejen Ferracakut për t’i vendosur në hapësirën publike në plazhin e Velipojës, ndërsa vitin e kaluar i kanë pasur vëllezërit Gocaj.
Këta të fundit kanë kundërshtuar me pretendimin se vendet e vendosjes së shezlongëve për subjektet nuk kishin përfunduar ende si procedurë nga institucionet shtetërore. Në debat e sipër në orët e pasdites, dy familjet janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin fillimisht. Pas pak orësh, Kujtim Ferracaku i shoqëruar nga vëllai i tij, Hasan Ferracaku, tre djemtë e këtij të fundit dhe nipi i tij 17- vjeçar, Elmilind Dyli, kanë shkuar në drejtim të hotelit ku ndodheshin dy vëllezërit Gocaj. Disa prej anëtarëve të familjes Ferracaku kanë qenë të armatosur me armë zjarri në momentin që kanë shkuar pranë hotelit të vëllezërve.
Brenda pak sekondash, gjithçka ka përfunduar në përplasje me armë zjarri. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se i pari që ka ndërruar jetë ka qenë 38-vjeçari, Edmond Gocaj, i cili dyshohet se është qëlluar nga Kujtim Ferracaku. Më pas vëllai i Edmondit, Xhovan Gocaj, ka qëlluar ndaj Kujtim Ferracakut duke e lënë të vdekur në vend. Në atë moment i është kundërpërgjigjur Hasan Ferracaku, duke vrarë 25-vjeçarin Gocaj. Nga kjo përplasje me armë, ka humbur jetën edhe shtetasi Musaen Zeneli, 20 vjeç. I riu ishte punësuar së fundmi nga vëllezërit Gocaj për të mbikëqyrur shezlongët e plazhit.



