Flet trajneri i video-skandalit, jep një deklaratë të çuditshme
Sot është publikuar edhe një video-skandal i futbollit kosovar, por i përmasave më të vogla.
Trajneri i Ballkanit, Gëzim Hasi shihet duke iu kumtuar lojtarëve lajmin se ndeshjen ndaj Ramiz Sadikut duhet ta lëshojnë më urdhër të kryetarit të klubit.
Në një prononcim për Indeksonline, Gëzim Hasi ka sqaruar tërë ngjarjen.
“Po, është e vërtetë që kam patur urdhër për të iu thënë se duhet ta lëshojnë ndeshjen ndaj Ramiz Sadikut. I thashë kryetarit, Florim Kryeziut se le të vije personalisht dhe të ua thotë këtë lajm futbollistëve, por që nuk pranoi. Nuk ishte e lehtë për mua, besoj se e keni dëgjuar fjalimin ku iu them se të bëjnë çfarë të duan, nuk i obligova. Pas kësaj ndeshje ka ardhur edhe dorëheqja e Ilir Bytyqit, ish drejtorit të klubit pasi që ishte i pakënaqur me këtë situatë. Më pas kam dhënë dorëheqje unë dhe pothuajse krejt futbollistët e skuadrës së parë, bashkë me portierin” ka thënë Hasi.
Të njëjtin gjë e kanë thënë edhe futbollistët e Ballkanit, tashmë të larguar. Ata kërkojnë dorëheqjen e kësaj kryesie që sipas tyre është tërësisht politike.
“Duam që të largohet kryesia, dhe më pas ne të gjithë mund të rikthehemi. Ju kemi bërë të qartë atë ditë dhe ju themi edhe sot se ne nuk punojmë për interesa të tyre” thuhet në reagimin e disa futbollistëve të kontaktuar nga Indeksonline.



