Fluks i lartë i pacientëve në Emergjencë – QKUK trajtoi 900 raste për dy ditë

Fluks i lartë i pacientëve në Emergjencë – QKUK trajtoi 900 raste për dy ditë

Gjatë ditëve të vikendit, Qendra Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se është përballur me një fluks të lartë pacientësh, duke trajtuar gjithsej rreth 900 raste, për çka thonë se pati një ngarkesë të jashtëzakonshme të punës.

Përmes një njoftimi, ShSKUK thotë se gjatë kësaj periudhe janë ofruar shërbime emergjente të natyrave të ndryshme, përfshirë 194 raste reanimimi, 302 trajtime internistike, 183 raste ortopedike, 137 raste kirurgjike si dhe 33 raste që kanë kërkuar intervenime të vogla. Ndërsa 61 prej tyre kanë qenë raste të aksidenteuara.

“Të gjitha këto shërbime janë realizuar nga ekipet e mjekëve specialistë dhe infermierëve të Qendrës Emergjente”, thuhet në njoftim.

Një pjesë e konsiderueshme e pacientëve, sipas ShSKUK-së janë paraqitur drejtpërdrejt në Qendrën Emergjente, duke anashkaluar shërbimet shëndetësore parësore dhe dytësore.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që rastet jo emergjente të drejtohen fillimisht në qendrat e mjekësisë familjare apo në spitalet rajonale.

“Qendra Emergjente duhet të mbetet e rezervuar për rastet serioze dhe kërcënuese për jetën. Bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për të mundësuar ofrimin e kujdesit shëndetësor në kohën e duhur për pacientët që janë në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën”.

Shpërndaje në: