Forca Zvicër – Nuk do të jetë një deul vllazëror
Zvicra nis sonte në mbrëmje rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2026 me një përballje të fortë kundër Kosovës.
Në prag të kësaj sfide, trajneri i ekipit kombëtar zviceran, Murat Yakin, dhe lojtari Dan Ndoye dolën përpara mediave, ku përcaktuan qartë pritshmëritë për ndeshjen dhe për fushatën kualifikuese, shkruan Blick.ch, përcjell Periskopi.
“Ndeshjet në shtëpi janë për të fituar”, deklaroi prerazi Yakin, duke vendosur tonin për sfidën që do të luhet në orën 20:45. Pas një periudhe zhgënjyese në Ligën e Kombeve dhe ndeshjet miqësore të zhvilluara gjatë pranverës dhe verës, trajneri zviceran shfaqet optimist për ecurinë e ekipit në javët në vijim.
Zvicra ka përpara gjashtë ndeshje kualifikuese, të planifikuara deri më 18 nëntor, momenti kur do të përcaktohet nëse helvetikët do të sigurojnë pjesëmarrjen në Kupën e Botës që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë në verën e vitit 2026. Yakin e njeh mirë peshën e pritshmërive: “Edhe pse shumë presin një fitore të plotë, është një grup i vështirë”, theksoi ai, duke i bërë thirrje opinionit të ruajë qetësinë pavarësisht optimizmit të tij.
Trajneri është i vetëdijshëm për rëndësinë e një fillimi të mbarë dhe për mundësinë për të siguruar dy fitore në shtëpi, fillimisht kundër Kosovës dhe më pas ndaj Sllovenisë.
Megjithatë, ai nuk e konsideron ndeshjen e parë si një përballje klasike në shtëpi.
Sipas Yakin, atmosfera në stadium mund të jetë më e balancuar: “50:50”, duke iu referuar mbështetjes së ndarë mes tifozëve të dy kombëtareve – një situatë që është parë edhe në dy ndeshjet e mëparshme me Kosovën në tokën zvicerane.



