Franca dhe Gjermania i kujtojnë Kurtit obligimin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Franca dhe Gjermania i kujtojnë Kurtit obligimin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz i janë drejtuar kryeministrit Albin Kurti pas rizgjedhjes së tij: një për ta uruar, dhe dy, për t’i kujtuar obligimet e Marrëveshjes së Bruksel/Ohrit.

Në letrën e tij, Merz i shkroi Kurtit se “Para jush dhe qeverisë suaj qëndrojnë detyra sfiduese.”

Ai shto si “Jam i bindur se me përvojën tuaj, do të merrni vendimet e duhura dhe të nevojshme për integrimin e mëtejshëm euro-atlantik të Kosovës.”

Duke iu referuar dialogut me Serbinë, Merz tha se: “Kjo përfshin edhe përparim të mëtejshëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për normalizimin me Serbinë.”

Në fund, Merz siguron mbështetjen përkatëse në zbatim të obligimeve me fjalët që “Të jini të sigurt se Kosova ka një partner të fortë dhe të besueshëm në Gjermani për këto detyra.”

Ndërkohë, Macron në letrën e tij thekson dimensionin evropian të procesit.

Ai i shkroi Kurti se “Franca është e bindur se vendi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian.”

Duke iu referuar dialogut me Serbinë, Macron shkroi se: “Franca do të vazhdojë gjithashtu të mbështesë pa u lodhur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.”

Ai përmend drejtpërdrejt marrëveshjet ekzistuese: “Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit kanë përcaktuar drejtimin.”

Më tej, ai shtoi se “U takon të dyja palëve të zbatojnë angazhimet e marra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.”

Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit e arritur në shkurt të 2023 përcakton detyrimet e të dy palëve: Një që Serbia të mos pengojë integrimin ndërkombëtar të Kosovës, dhe dy, që Kosova të themelojë Asociacionin.

Në nenin 7 thuhet: “Kosova angazhohet të sigurojë një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.”

I njëjti nen përfshin mundësinë për një strukturë të organizuar: “përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi.”

Në nenin 10 theksohet detyrimi për zbatim: “Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut.”

Kjo përfshin edhe marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Shpërndaje në: