Franca pret me respektet më të larta agjentin e vet në vizitë

Franca pret me respektet më të larta agjentin e vet në vizitë

Si President i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka arritur që të jetë shumë i dëshirueshëm për homologët e tij në Evropë e në SHBA. Deri tani, ai ka arritur të takohet me pak presidentë të shteteve aleate, kryesisht me ata të rajonit.

Udhëtimet e rralla të presidentit në fillim të mandatit të tij, e kishin vënë atë në thumb të kritikave. Arrinte të takojë kryesisht diplomatë të rangut të fundit në hierarkinë e shteteve të rëndësishme. Ndonëse muajve të fundit u dinamizua aktiviteti i tij, duke publikuar fotografi nga takime të ndryshme, sërish Presidenti Thaçi takohej kryesisht me diplomatë të ulët në hierarki, ku shpesh dukej i imponuar.

Si rast më të freskët, s’duhet lënë pa përmendur momentin kur Thaçi kishte publikuar një fotografi nga një aeroporti bashkë me presidentin zviceran, Mark Rutte, të cilin e kishte takuar rastësisht. Takimi ishte jozyrtar, por edhe në këto kushte, sipas Thaçit, ai kishte marrë një premtim nga Rutte për një vizitë zyrtare në Kosovë në muajin qershor. Kjo mënyrë e promovimit të takimeve jozyrtare, Thaçin e bëri të dukej edhe më joserioz.

Të linte përshtypjen se është në krizë, derisa mundohej të shkrepë fotografi me homologët e tij vend-e-pa- vend, sa për t’i publikuar në Facebook.

Por kështu nuk ka ndodhur me udhëtimin e fundit të Presidentit Thaçi në Francë, ku zhvilloi shumë takime dhe u prit denjësisht. Thaçi, në Pallatin Elysee u prit nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe zhvilloi disa takime tjera, bie fjala me ish-presidentin francez, Nicolas Sarcozy. Sarcozyn, Thaçi e dekoroi me Medaljen Presidenciale Jubilare, për kontributin e dhënë në përpjekjet e Kosovës për pavarësim. Takoi po ashtu edhe ish-kryeministrin francez Alain Juppe, të cilin e dekoroi me “Urdhrin e Lirisë”, për kontribut të shtetndërtimit të Kosovës.

Jo vetëm kaq. Franca e nderoi edhe më shumë Thaçin. Në Facebook, Thaçi paralajmëroi se Akademia Diplomatike Ndërkombëtare e Parisit sot bën e promovimin e librit kushtuar atij “New State Modern Statemen” të autorëve britanikë Roger Boyes dhe Suzy Jagger.

A po e nderon Franca Presidentin e Kosovës apo agjentin e vet?

Kur përmenden Hashim Thaçi dhe Franca në një vend, s’ka se si të mos bie në mend deklarata e ish-zëvendësdrejtorit të shërbimit sekret të Francës (DSGE), Pierre Siramy, i cili kishte thënë se Hashim Thaçi ka qenë agjent i organizatës së tij.

Siramy kishte treguar se Thaçi ishte rekrutuar përmes oficerit hulumtues për çështjet e Ballkanit, Arnaud Danjean. Megjithatë, Siramy kishte thënë se Thaçi si agjent i këtij shërbimit (DSGE), ishte angazhuar në të mirë të Kosovës gjatë përpjekjeve të UÇK-së për çlirim nga Serbia.

“UÇK-ja ishte organizatë që luftonte kundër regjimit serb. Në krye të këtij regjimi ishte Millosheviq. Lufta në Kosovë, shkaktoi dëme të mëdha dhe la mijëra të vdekur. Këto imazhe filluan të shihen nga ndërkombëtaret, gjithashtu edhe nga Franca. Aty filluan kontaktet e fshehta mes Shërbimit Sekret Francez dhe Hashim Thaçit. Kështu thotë personi që ka punuar në DGSE, e që kishte numër identiteti 3635. Ai quhet Pierre Siramy…. Se a u bë Hashim Thaçi agjent sekret, Siramy thotë, ‘Po, ai është bërë agjent’”, raportonte gazetari Pacal Henry në një dokumentar në “Canal +”.

Vetë Presidenti Thaçi nuk ka folur ndonjëherë për këto raportime të medieve ndërkombëtare, megjithatë afërsia e tij me zyrtarët francezë vetëm sa dëshmon deklaratat e një zyrtari të rëndësishëm të shërbimit sekret francez. Vlen të theksohet po ashtu, se Thaçi është akuzuar edhe nga eksponentë të politikës vendore si agjent i shërbimeve franceze.

Ndërkaq, imazhi negativ i Thaçit në mesin e politikanëve botëror, besohet se i është krijuar për shkak të Raportit të Dick Martyt, i cili e lidhë Thaçin drejtpërdrejt me trafikim të organeve gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Pikërisht ky raport pritet të trajtohet nga Gjykata Speciale, e cila është në hapat final drejt ngritjes së aktakuzave për krime lufte. /Periskopi/

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: