Fundi i qytetarit demokratik në Shqipëri!
Shkruan: BEN ANDONI
Një nga adresimet më interesante dhe të kuptueshme të OSBE-ODHIR i drejtohej publikut shqiptar, sipas të cilës duhet të emancipohej për të votuar demokratikisht. Për fat të keq, në këtë kohë, ku korrupsioni ka marrë përpara çdo lloj narracioni të mbrojtjes dhe justifikimit të maxhorancës, është pikërisht indiferenca e publikut që të trondit. Mobilizimi i pakët për të protestuar ka nxjerrë një antropologji të tërë kombëtare flegmatike për ta kërkuar të drejtën. Opozitës i duhet të bëjë përpjekje titanike të nxjerrë njerëz në protesta, kurse maxhorancës thjesht ‘të heshtë’ në mënyrë që ta mbajë të fjetur publikun pas skandaleve të njëpasnjëshme, të cilat nuk duan të ndalojnë. Fenomeni është më i gjerë dhe këtë e shikon në angazhimin qytetar për të ndryshuar përditmërinë, por edhe për ta prekur bashkëkohësinë. Shqipëria nuk ka bashkëkohësi në asnjë nga fushat e saj të zhvillimit, paçka se konjukturat mund ta integrojnë brenda harkut të dy viteve në BE.
Argumenti “ i fundit të qytetarit demokratik” e kalon rastin shqiptar, ku apatia demokratike ka kohë që është shkas për shumë nga ankimimet e opozitës. Në një studim evropian pohohet se: popullsia e gjerë (ose të paktën një pjesë e konsiderueshme) ka mangësi sa i përket përvetësimit të vlerave, por edhe të gjithë elementet, të cilat lidhen me qytetarinë demokratike qoftë atë aktive, por edhe të pavarur. Në konceptin real: Një “qytetar i vërtetë demokratik” duhet të jetë racional, i informuar mirë (kjo nuk mungon tek ne, por cilësia është pjesë debati) dhe duhet të përfshihet aktivisht në politikë, me të gjithë arsyen dhe dëshirën e nevojshme për ta përmirësuar komunitetin, në vend të interesave thjesht private. Dëshira e individit shqiptar dhe slogani i Dhjetorit ’90: “Ta bëjmë Shqipërinë si të gjithë Evropa”, mund të ishte motoja e zhvillimit tonë, por ai i la vend anarkisë dhe përfitimit në çdo gjë të mundshme në kurriz të të tjerëve. Në ish-Jugosllavi, ky koncept u harrua sepse përballja ishte për mbijetesën ndaj barbarisë së makinerisë së Millosheviqit që nuk e parashikoi sëmundjen, simptomat e të cilës ishin të dukshme qysh në fundvitet ’80. Në Greqi ka shenjë që qytetaria është ende me kanonet demokratike, ndoshta prej trashëgimisë, që tek ata është e përcjellë në ADN-në historike.
Koncepti i qytetarit demokratik përfshin pjesëmarrjen aktive dhe angazhimin civil (ka pak kauza, veç asaj të armëve kimike tek ne) për të prishur status quo të lodhshme si kjo e fundit tek ne. Një qytetar demokratik është një mendimtar kritik, i cili falë kulturës, mendje-hapjes përball propagandën dhe në mjediset ku mund të shprehë fjalën e artikulon pastër mendimin e tij\saj. Kurse njerëzit e medias, në këtë rast, duhet të shohin interesin publik mbi konjukturat. Si edhe të jenë avokatë të përhershëm për të Drejtat Civile. Në këtë të fundit, ndarja në shoqërinë tonë është fatale, madje edhe në çështjet më të rëndësishme, si p.sh. kur flitet për të drejtat bazike të individëve.
Për t’i dhënë një dorë shkallmimit të institucionit të “qytetarit demokratik” ka dhënë një ndihmesë jo të pakët qeverisja e tanishme e z.Rama dhe para tij edhe paraardhësi Berisha. Ku dëgjesat publike bëhen sa për sy e faqe, kurse respekti për të marrë mendimin e qytetarëve është limituar deri në indiferencë cinike. Prej ditësh, Erion Braçe, deputet i mazhorancës, mundohet të apelojë për plehrat e Njësisë 5, por përgjigja është indiferenca, ashtu si për çdo shqetësim tjetër. Përballja e individit shqiptar demokratik tashmë ka mbetur vetëm te monologu, sepse ekziston liria në letër, por nuk ka dëgjim; llogaridhënia e zyrtarëve mungon për të mos thënë që është harbute (komunikimi i zv.kryeministres Balluku është shembull i freskët); transparenca është limituar frikshëm dhe bash për këtë në Kombinat zyrtarët e Bashkisë së kryeqytetit guxuan prekën dhe pallatet e banimit me justifikimin e tërmetit! Por sfida shqiptare shkon edhe më tej me kundërshtimin e ideve antiliberale, ku ndërsa të Djathtët e Berishës i identifikojnë Liberalët me SOROS, të Majtët e shfaqin me cinizmin e nivelit të qeverisjes së tyre që nuk respekton median, shoqërinë civile, por edhe vetë përballjen gjyqësore. Lidhur me të Drejtën, argumentet janë të shumta që nga fjalori mbushur me mallkime i Berishës dhe banalitetet e tij dhe të bashkëpunëtorëve, deri tek përballja e ashpër e Ramës. “Kemi nisur analiza shqetësuese të shenjave shqetësuese të brutalitetit gjyqësor. Tentativa e magjistratëve gjykatës e prokurorë bashkë për të rritur pagat duke shqyer arkën e shtetit. Vetë Ali dhe vetë Kadi. Kam lexuar edhe një raport mbi përdorimin brutal të paraburgimit në Shqipëri, që e ka vendosur Shqipërinë në vendin më të fundit”, u shpreh së fundi në podcastin e tij. Paradoksi është se ka të vërteta në këtë argument, po t’i qëmtosh fyerjet e Berishës; ashtu si ka realitete në ato që thotë kryeministri i vendit. Në këtë rast e pëson qytetari shqiptar dhe besimi i tij për ndryshim. Shqipëria në sensin e saj të ashpër përballë qytetarit e ka shkallmuar demokracinë. Të mendosh, vetëm për një vit pranë ILD u depozituan ankesa nga 8451 shtetas ndaj gjyqtarëve të të gjitha shkallëve dhe prokurorëve. Të mendosh se pas një procesi të tërë të Vetting-ut, që nxori një armatë të tërë të njerëzve të Drejtësisë jashtë sistemi dhe, që sërish paradoksalisht po e bën qytetarin shqiptar të mos ketë besim!
Vuajtja shtohet kur kujton se kjo trashëgimi është shtruar nga regjimi komunist, që la një masë të asaj që njihet si koncepti i “pafuqisë së mësuar” dhe mungesën e instrumenteve qytetare të ankimimit. Ndaj, njësoj dhe sot, qytetarët vazhdojnë të mos u besojnë qeverive të tyre, ashtu si politika, shihet e zënë nga një klasë që krijon mekanizma për t’u udhëhequr nga zgjedhjet e saj. Në rastin shqiptar shqetësim mbetet përçarja politike, gati njësoj si në L2B që e bën të vështirë debatin racional dhe të informuar, e cila mund të bëjë udhë për një demokraci të shëndetshme. Ky mjedis ka përcjellë një polaritet, pa të cilin duket se nuk mund të jetojmë “normalisht”. Por, goditja më e madhe është për votën, ku publiku nuk ndihet i përfaqësuar falë një sistemi që zakonisht përcjell individë shumë poshtë nivelit mesatar publik në parlament. E për më tepër, kur nuk beson se vota jote sjell ndryshim, atëherë pse duhet që qytetari të angazhohet? Së fundmi, një nga apatitë më të mëdha demokratike lidhet me këtë fakt. Ndoshta në fund, por më e rëndësishmja është fakti se qytetarin demokratik e ka vrarë ekonomia dhe pabarazia e madhe, si edhe privilegjet ndaj atyre që janë afër pushtetit. Shqiptari i thjeshtë e ka parë syve këtë realitet për çdo ditë, sa të hidhur aq dhe brutal.
Duke u kthyer në histori: Koncepti i qytetarit demokratik është mbajtur nga një sërë individualitetesh të mëdhenj deri në kohën e filozofëve të Iluminizmit. Soloni (shek. VI para Krishtit) në Atikë e shtroi udhën që qytetarët të merrnin pjesë në Eklezi. Pastaj Kleistheni “babai i demokracisë athinase” dhe Perikliu më i shquari i Athinës (shek. V para Krishtit), i cili kërkoi që në postet publike të ishin edhe qytetarët më të varfër. Për të vazhduar në kohët moderne me Xhon Lok (shek. XVII) që argumentoi se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. Zhan-Zhak Ruso (shek. XVIII), i cili në “Kontratën Sociale”, artikuloi parimin e sovranitetit popullor dhe e përcaktoi “qytetarin” si një anëtar të një organi kolektiv, e duke vazhduar me Deklaratën e të Drejtave të Njeriut.
Këto zhvillime historike, nga modeli i pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në Athinën e lashtë deri te teoritë e të Drejtave Universale të Iluminizmit, krijuan së bashku konceptin e qytetarit modern demokratik. Bash atë koncept që në kohën e kibernetikës dhe Inteligjencës artificiale po merr goditje nga të gjitha anët, kurse në Shqipëri dhe në një sërë vendesh të Lindjes, ka ardhur fundi… i konceptit të “qytetarit demokratik”. Kriza e madhe sociale, kulturore, ekonomike dhe politike po e shpërfaq këtë shpesh në Shqipëri. A ka më shpresë? Vaclav Havel, filozofi i demokracive lindore e dha një koncept që qytetari demokratik të mbijetonte: “Pa qytetarë të lirë, që respektojnë veten dhe autonomë, nuk mund të ketë kombe të lira dhe të pavarura. Pa paqe të brendshme, domethënë paqe midis qytetarëve dhe midis qytetarëve dhe shtetit, nuk mund të ketë garanci për paqe të jashtme”. Kurse OS BE-ODHIR në relacionet e saj të vazhdueshme dhe të ngrira… për demokracinë. (Homo Albanicus)



