Furnizimi me rrymë – KEK del me njoftimin e fundit
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se aktualisht është duke operuar njëkohësisht me pesë njësi prodhuese të energjisë elektrike, duke siguruar prodhim stabil dhe në përputhje të plotë me parametrat teknikë dhe kapacitetet reale të njësive ekzistuese.
Sipas KEK-ut, prodhimi bruto ditor i energjisë elektrike tejkalon 20 mijë megavat-orë (MWh), ndërsa operimi me pesë njësi përfaqëson një gjendje të rrallë operative, veçanërisht duke pasur parasysh moshën e njësive prodhuese dhe kompleksitetin teknik të sistemeve.
Korporata sqaron se në kushte normale operon me katër njësi prodhuese, ndërsa gjatë periudhave të temperaturave të ulëta ka ndërmarrë angazhim maksimal për vënien në funksion edhe të njësisë së pestë. Si rezultat, KEK ka arritur të operojë me pesë njësi për nëntë ditë që nga 19 dhjetori 2025, përmes ndërhyrjeve të shkurtra operative, si dhe për shtatë ditë gjatë muajit janar 2026, përfshirë edhe ditën e sotme, me vazhdimësi të operimit.
Në njoftim bëhet e ditur se Njësia A4 ka startuar gjatë orëve të mbrëmjes dhe është sinkronizuar me rrjetin në orët e para të mëngjesit, ndërsa rikthimi paralel dhe i suksesshëm i Njësive B1 dhe A4 brenda një afati optimal operacional dëshmon kapacitetin profesional të stafit teknik dhe menaxherial të KEK-ut, si dhe planifikimin e saktë dhe menaxhimin efikas të proceseve operative.
Si rezultat i këtij operimi të qëndrueshëm, sistemi elektroenergjetik aktualisht funksionon me kapacitete të plota, duke reflektuar stabilitet teknik, siguri operative dhe performancë maksimale të prodhimit.
KEK ka theksuar se mbetet e përkushtuar për operim të sigurt, të qëndrueshëm dhe efikas, si dhe për menaxhim rigoroz të aseteve prodhuese dhe avancim të projekteve strategjike të modernizimit, me qëllim forcimin e stabilitetit afatgjatë të sektorit elektroenergjetik në Kosovë.



