Futbollisti nga Kosova përjashtohet nga Gjermania pas 20 vitesh
Shpallja e Kosovës si vend i sigurt origjine në shtator të 2015-s ka bërë që Latifi të mos ketë më mundësi të jetojë në Gjermani si refugjat.
Këtë fundjavë mbrojtësi ka zhvilluar ndeshjen e fundit në Gjermani me ekipin e tij Lohfelden në kategorinë e 5-të gjermane.
Pas ndeshjes trajneri i Lohfeldenit, Otmar Velte, shprehu mërzitjen e tij për faktin se Latifi është i detyruar të largohet, shkruan Panorama.
“Është një largim i trishtueshëm. Mentori është një djalë i shkëlqyer. Më shumë se futbollist, do të na mungojë si njeri.
Ai gjithnjë është kujdesur për më të rinjtë duke i këshilluar ata. Është absurde që një person që ka kaluar thuajse gjithë jetën në këtë shtet dhe që nuk ka kryer asnjë krim të detyrohet të largohet”, u shpreh Velte.
Latifi nuk do të kthehet më në Gjermani, të paktën jo si banor i përhershëm. Ai ka vendosur që të kalojë pushimet e fundvitit pranë prindërve në Francë, ku jetojnë prej vitesh për arsye shëndetësore, dhe më pas po planifikon të vazhdojë jetën në Zvicër bashkë me bashkëshorten.



