Futbollisti shqiptar: Luanim duke ngrënë byrek para ndeshjes
Ai akuzon se klubin e drejtojnë komunistë, të cilët veprojnë me metoda komuniste. Sipas tij, në Elbasan iu hoq edhe buka një javë para përjashtimit, mungonte baza materiale dhe shkonte në ndeshje me xhinse.
Për mesfushorin nuk do të ketë më kthim pas për të vazhduar më në Elbasan dhe preferon më mirë ta lërë futbollin sesa të bashkëpunojë me këta drejtues, të cilët, sipas tij, po e shkatërrojnë futbollin në këtë qytet.
“Shkuam normalisht të gjithë në orarin e stërvitjes, kur pashë që disa nga djemtë e rinj nuk ishin zhveshur për stërvitjen. I pyeta dhe më thanë që nuk kishte para për ne. Normalisht më erdhi shumë keq, sepse në momentin që vendosëm të mos kryenim stërvitje, ata ishin së bashku me pjesën tjetër të ekipit.
Shkova te dhoma e trajnerit për t’u interesuar dhe aty ishte edhe Kotorri. I thashë që të hiqnim të gjithë nga 50 mijë lekë (të vjetër) dhe t’u plotësonim diçka edhe atyre të rinjve. Në këtë moment ndërhyri trajneri dhe më tha: ‘Bëre mirë që erdhe dhe ulu pak’.
Ai më tha se kryesia e klubit kishte vendosur që ne jabanxhinjtë të mos stërvitemi për një afat njëmujor. Domethënë që na kishin përzënë nga klubi. A thua sikur ishim ne të vetmit që nuk dolëm në stërvitje dhe ishim ne problem që gjërat nuk po shkonin në rrugën e duhur”, u shpreh ai në një intervistë për Panorama Sport.
Ish-lojtari i njohur i Dinamos dhe Partizanit tregon se ushqehehshin me parat e tyre.
Ushqeheshim me paratë tona. Hanim byreqe dhe sanduiçë me paratë tona, madje na kanë qerasur edhe shokët e skuadrës. Kjo ka ndodhur ndeshjen e fundit me Dinamon.



