Gara e ardhshme e Albin Tahirit, pas disa orësh
Sllallomi i madh është disiplina e alpine e radhës ku do të paraqitet skitari kosovar Albin Tahiri, përfaqësuesi i vetëm i Kosovës në Lojërat Olimpike në Pyeongchang.
Në garën që do të fillojë në ora 02:15, në mëngjesin e së dielës, Tahiri do të niset i 96-ti nga 110 garues sa janë gjithsej.
Në sllallom të madh, 30 skitarët më të mirë nga rundi i parë, bëjnë edhe një lëshim në shteg dhe fitues është skitari më kohën më të mirë të përgjithshme.
Tahiri në këtë garë i ka gjasat e vogla që të hyjë ndër 30 më të mirët dhe të plasohet në rundin e dytë. Përndryshe favoritë për këtë garë janë austriaku Marel Hirscher, francezi Alexis Pintaurault e suedezi Matts Olsson, mirëpo, sivjet ka pasur befasi të shumta në disiplinat alpine në Lojërat Olimpike në të dyja konkurrencat dhe është vështirë të bëhen prognoza.
Rundi i dytë është paraparë të fillojë me 05:45 sipas kohës sonë.



