Gashi i PDK’së: Qytetarët nuk i kanë dhënë mbështetje Kurtit për zgjedhjen edhe të presidentit

Gashi i PDK’së: Qytetarët nuk i kanë dhënë mbështetje Kurtit për zgjedhjen edhe të presidentit

Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi, tha se janë të gatshëm të japin kontributin e tyre për zgjedhjen e presidentit, por akuzoi kryeministrin Kurti për zvarritje të procesit. Në një bisedë për RTV21, deputeti Gashi tha se qytetarët nuk i kanë dhënë mbështetje Kurtit për zgjedhjen edhe të presidentit për të cilin duhen 80 vota.

“Partia në pushtet duhet të iniciojë takime për presidentin, por deri më tash nuk e ka bërë. Për PDK-në është gjithmonë me rëndësi që t’i japim drejtim vendit. Zgjedhjet janë të parëndësishme që të shkohet tash, sepse Kosova ka kaluar disa faza të zgjedhjeve dhe duhet t’i japë Kosovës institucione të qëndrueshme, duke i pasur parasysh edhe problemet e mëdha ekonomike, sidomos në këto pesë vitet e fundit sa ka qeverisur LVV-ja. Deri tani nuk ka ndonjë lëvizje. PDK-ja i ka qëndrimet e njëjta, sepse mendojmë se Kosovën nuk duhet ta drejtojë vetëm një subjekt politik. Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës për zgjedhjen e presidentit e ka të përcaktuar se 80 deputetë duhet të jenë të pranishëm dhe, për t’i pasur 80 deputetë, duhet të ketë edhe marrëveshje, sepse qytetarët nuk ia kanë dhënë mandatin kryeministrit aktual që ta zgjedhë vetë presidentin. Në këto rrethana duhet të ketë një marrëveshje. Në këtë kuptim, PDK-ja është e gatshme të japë kontributin e vet, edhe në të kaluarën edhe tani.”, tha Gashi.

Deputeti Gashi tha se askush nuk mund t’i detyrojë deputetët të qëndrojnë në sallë gjatë votimit të presidentit nëse nuk ka një marrëveshje politike paraprake. Kërkesën e kryeparlamentares Haxhiu në Gjykatën Kushtetuese e quajti të panevojshme.

“Nuk ka pasur nevojë fare të bëhet kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, sepse është i qartë mandati i deputetit, është e qartë edhe në Kushtetutë. Pa një marrëveshje të qartë për emrin e presidentit, sigurisht se PDK-ja i ka qëndrimet e njëjta, sepse gjendja është e njëjtë. Pra, PDK-ja nuk do të bëhet pjesë e lojës të cilën po tenton ta bëjë kryeministri aktual. Ne besojmë se Kurti është i interesuar ta dërgojë vendin në zgjedhje.”, u shpreh Gashi.

Shpërndaje në: