Gashi reagon ndaj deklaratës së Hekuran Muratit: Kërcënim i papranueshëm ndaj shërbyesve publikë

Gashi reagon ndaj deklaratës së Hekuran Muratit: Kërcënim i papranueshëm ndaj shërbyesve publikë

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës (SPAK), Ali Gashi, për FrontOnline, ka reaguar ashpër pas deklaratës së ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili kishte thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk fiton e vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit, askush nuk do të marrë paga në sektorin publik.

Gashi e ka cilësuar këtë qasje si një precedent të rrezikshëm në diskursin publik dhe institucional, duke theksuar se një pretendim i tillë cenon rëndë parimet themelore të shtetit të së drejtës.

 

“Ky është precedent i rrezikshëm në diskursin publik dhe atë institucional. Pretendimi se siguria e pagave për shërbyesit publik, pas muajit shkurt, varet nga orientimi i tyre elektoral, përkatësisht nga votimi për një subjekt politik, përbën një praktikë të qartë shantazhi dhe cenon parimet e neutralitetit të administratës dhe lirinë e votës”, ka deklaruar Gashi.

Sipas tij, një gjuhë e tillë është në kundërshtim të plotë me rendin kushtetues dhe ligjor të vendit.

“Kjo është anti-kushtetuese, anti-ligjore. Zyrtarët publikë nuk mund të jenë mjet i shantazhit dhe ata janë shërbyes publik”, ka theksuar ai.

Kreu i SPAK-ut u ka bërë thirrje institucioneve përkatëse dhe vetë shërbyesve civilë që të reagojnë ndaj kësaj deklarate, duke kërkuar tërheqjen e saj.

“I bëjmë thirrje institucioneve përkatëse si dhe shërbyesve civilë që të reagojnë ashpër ndaj kësaj deklarate dhe Hekuran Muratit i themi të tërhiqet nga deklarata e bërë”, ka shtuar Gashi për FrontOnline.

 

Ai ka shprehur shqetësim të thellë për ndikimin që, sipas tij, kjo gjuhë mund të ketë tek administrata publike.

“Ne si sindikatë jemi të shqetësuar se si ai ka mundësi t’i shantazhojë dhe frikësojë shërbyesit civil me këtë lloj gjuhe”, ka përfunduar Gashi.

Shpërndaje në: