Gaza dhe “Rilindja” e Asqerëve: Kush e paguan faturën e aventurës së re ushtarake?

Gaza dhe “Rilindja” e Asqerëve: Kush e paguan faturën e aventurës së re ushtarake?

Shkruan: Adri Nurellari

Pas mbledhjes së të ashtuquajturit “bord i paqes”, në publik ka dalë një hartë që parashikon ndarjen e Rripit të Gazës në 5 sektorë të kontrolluar nga vende të ndryshme me shumicë muslimane ( përveç Shqipërisë e Kosovës jane 3 shtete mosnjohëse Kazakistani, Maroku dhe Indonezia). Për herë të parë, shqiptarët rrezikojnë të futen drejtpërdrejt me rol konkret në një konflikt intensiv në zemër të Lindjes së Mesme, në një territor ku aktorë terroristë të regjur me luftë urbane si Hamasi mbeten realitet i përditshëm. Ndërsa plani paraqitet si “demek” forcë stabilizimi, përfshirja e dy vendeve shqiptare në një nga konfliktet më të rrezikshme të botës ngre pyetje serioze për koston njerëzore, diplomatike, morale dhe ekonomike.

Kjo që po ndodh thjesht nuk është diplomaci, por delegim rreziku ku të mëdhenjtë vizatojnë ndërsa të vegjlit patrullojë. Për fuqitë e mëdha kjo është formula ideale për paqeruajtje me trupa të sakrifikueshme që nuk shkaktojnë kosto elektorale brenda vendit, siç ndodhi në Liban apo Somali. Pas sulmit të 23 tetorit 1983 në Beirut, ku u vranë 241 marinsa amerikanë, SHBA u tërhoq praktikisht nga Libani brenda pak muajsh. Dhe pas betejës së 3–4 tetorit 1993 në Mogadishu (Black Hawk Down) ku u vranë 18 ushtarë, Uashingtoni e ndërpreu misionin në Somali dhe u bë shumë më hezitues ndaj ndërhyrjeve tokësore në konflikte brenda vendeve myslimane. Dhe kjo që po sugjerohet nuk është asgjë e re por thjesht riciklim i një recete klasike imperialiste e përdorur prej kohësh nga anglezët, që edhe sot dërgojnë trupat gurka nga Nepali në vijën e parë të frontit apo nga francezët me Legjionin e Huaj.

Në kalkulimet e administratës amerikane (sidomos rreth rrethit të presidentit aktual ), vende si Shqipëria e Kosova shihen si muslimanë politikisht të bindur ndaj Perëndimit që nuk kanë agjendë rajonale në Lindjen e Mesme dhe po ashtu nuk kanë kapacitete për të sfiduar vendimmarrjen amerikano-izraelite. Pra thënë më thjesht trupa tampon muslimanësh pro-Perëndim që duhet të mbajnë rendin në mënyrë që popullsia lokale të mos e perceptojë si pushtim hebre apo amerikan. Ideja “koorporatës së paqes” pa mandat legjitim të OKB-së dhe pjesëmarrje të vendasve është në thelb brutale dhe quhet “outsourcing i rrezikut”.

Personalisht nuk e kuptoj entuziazmin e postimit nëpër rrjete sociale të hartës në fjalë nga shqiptarët, sepse kjo përfshirje është ekstremisht e rrezikshme dhe e dëmshme për ne. Nëse dy kontingjente shqiptar futen në Gaza dhe kontrollojnë në mënyrë ekskluzive sektorë të tërë, ato automatikisht bëhen objektiv legjitim sulmi për Hamasin si simbol i “tradhtisë islame” në narrativën e tyre radikale kundër “qafirëve shërbëtorë të Perëndimit”. Pra mish për top në një konflikt që s’ka lidhje strategjike me interesat tona dhe as ka të bëjë me obligimin tonë përkundrejt Nenit 5 të NATO-s. Ky mekanizëm i “sigurisë kolektive” vlen për vendet anëtare në shtëpi dhe kurrsesi jo për aventurat e tyre jashtë saj. Aq më tepër kur dihet se lufta sektariane brenda botës muslimane ka qenë më e përgjakshmja në glob gjatë dekadave të fundit.

Rreziku kryesor është që pa një Rezolutë të Këshillit të Sigurimit dhe pa ftesë e pjesëmarrje të vendasve, trupat nuk do të perceptohen si paqeruajtës, por si zgjatim i kamufluar i një arkitekture okupimi. Kjo do t’ zhveshë kontingjentet nga mbrojtja morale dhe ligjore ndërkombëtare dhe do t’i ekspozojë drejtpërdrejt ndaj sulmeve, pa mekanizma realë përgjegjësie për ata që realisht e projektuan misionin qindra kilometra larg.

Ky angazhim jo-transparent mbase edhe shpjegon intensifikimin e raporteve të qeverisë Rama me administratën e Netanjahut dhe afrimin paralel me gjigandin e industrisë ushtarake izraelite Elbit Systems. Sepse afërmendsh kur ofron trupa “si të ishin prona të familjes” për një projekt kontraversal eksperimental sigurie, futesh automatikisht në zinxhirin politik dhe industrial të Izraelit.

Në këtë farë loje Shqipëria s’fiton asgjë, përveç arkivoleve dhe distancimin nga BE-ja, që, me ndonjë përjashtim periferik, e ka refuzuar “bordin e paqjes”. Strategjikisht, Shqipëria nuk fiton as ndikim diplomatik as leverdi ekonomike por vetëm ekspozim ndaj terrorizmit ndërkombëtar, radikalizim të brendshëm potencial dhe një precedent të rrezikshëm që trupat shqiptare të përdoren si polici koloniale muslimane.

Kjo është njësoj si të na kthejnë në rolin e dikurshëm historik të “arnautëve si asqerët periferik të perandorisë osmane”. Faktet tregojnë se në Perandorinë Osmane, popujt e periferive, sidomos yni, u përdorën gjerësisht në korpusin e jeniçerëve si trupa xhandare në rajone kufitare ose në fushatat ndëshkimore apo pushtuese, ndërsa vendimet strategjike merreshin në Stamboll. Historianë të shquar si Noel Malcolm dhe Mark Mazower e përshkruajnë këtë model si raport qendër–periferi ku qendra fiton pushtetin, periferia derdh gjakun.

Prandaj përpara ekzaltimit për faktin që do na “besohen detyra kaq të rëndësishme” duhet të sqarojmë njëhere përse na kanë zgjedhur pikërisht neve. Shkurt e shqip sepse shqiptarët perceptohen muslimane në demografi, perëndimorë në orientim politik, të dobët në peshë gjeopolitike dhe të paaftë për të thënë “jo” (sepse elitat sunduese kanë leverdi personale nga servilosja ndaj Trumpit). Fakti që Donald Trump e paketoi Marrëveshjen e Uashingtonit të shtatorit 2020 mes Hotit dhe Vuçiqit, në të njëjtën kornizë politike me Akordet Abrahamike është provë se ai na lexon e kategorizon më shumë si pjesë e boshtit islamik sesa si aktorë evropianë.

Nëse futemi në këtë mish-mash, i bie që do të ruajmë rrugë që s’janë tonat apo të aleatëve tanë, do mbrojmë vendime që s’i kemi marrë ne apo tek të cilat nuk kemi pasur ndikim, do sakrifikojmë trupa për një operacion të dyshimtë që nuk na përket, si dhe do prishim raportet me partnerët evropian që kanë shprehur haptazi rezerva. Në ndërkaq aktorët realë vendim-marrës do negociojnë nga distanca, duke na përdorur si gurë shahu, sikurse e bënte Porta e Lartë dikur.

Ky mullar argumentesh kundër angazhimit tonë në Gaza faktikisht e nxjerr në pah arsyen e vërtetë të kësaj ngutjeje. Nuk kemi të bëjmë me interes shtetëror, por hall personal. Kur mbi kupolën rëndojnë hetime dhe dosje nga SPAK-u i cili mbështetet nga amerikanët, politika e jashtme kthehet në monedhë shkëmbimi dhe trupat e shtetit trajtohen si kapital negociues për të hequr spinën e mbështetjes. Fundja, “gojët e liga” thonë se edhe vetë Netanjahu, i hetuar për afera korruptive, ka interes politik ta zvarrisë luftën sa më gjatë. Në këtë logjikë, Gaza nuk është mision paqeje, është jelek shpëtimi për mbijetesë personale. Por shtetet serioze nuk bëjnë diplomaci për të larë halle penale, dhe kombet dinjitoze nuk sakrifikojnë bijtë e tyre për të zgjatur jetën politike të ndokujt.

Shpërndaje në: