Gërvalla për ekspozitën skandaloze të Shkelzen Gashit: Na ndërgjegjësoi …
Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka komentuar ekspozitën skandaloze të Shkelzen Gashit që u zhvillua në sheshin e Prishtinës.
Në një konferencë për media, Gërvalla theksoi se, edhe pse ekspozita pati diskutime dhe kritika, ajo ka arritur të ndërgjegjësojë publikun për rëndësinë e shifrave zyrtare dhe për faktin se ato nuk mund të jenë të shpikura apo arbitrare.
“Nëse asgjë tjetër, ekspozita që u fol në publik këto ditë, ka arritur të na ndërgjegjësojë të gjithëve, pa përjashtim, se sa të nevojshme janë shifrat zyrtare dhe që ato nuk mund të jenë të shpikura, por duhet të jenë të vërteta dhe të sakta”, tha Gërvalla.
Ajo theksoi gjithashtu se për të pasur shifra të sakta, është e domosdoshme që të kemi institucione të forta, duke përmendur themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës dhe angazhimin e prokurorive për luftimin dhe dënimin e krimeve të luftës.
“Për këto shifra të sakta, nevojiten institucione të forta dhe prandaj, qoftë themelimi i institutit, qoftë puna e shtuar e prokurorive në luftimin dhe dënimin e krimeve të luftës, do të ndikojnë që të kemi të dhëna të sakta. Pavarësisht nga klima politike dhe fakti që dikush dëshiron të shfrytëzojë këtë për të krijuar avull rreth asaj që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, e rëndësishme është që të gjithë profesionistët e fushës të bashkohen rreth institutit dhe ta kuptojnë drejt detyrën e tyre”, shtoi ajo.
Gërvalla theksoi se është shumë e rëndësishme që të dhënat të jenë të sakta për të mbrojtur kauzën e Kosovës dhe për të siguruar që narrativa e drejtë e Kosovës në raport me Serbinë të mos dëmtohet nga pasaktësitë, qofshin ato të vogla apo të mëdha.
“Për këtë arsye, profesionistët duhet ta pajisin opinionin, shkencën, universitetet dhe ndërkombëtarët me shifra të sakta, në mënyrë që kauza jonë e drejtë dhe narrativa jonë e drejtë të mos dëmtohen për shkak të pasaktësive”, përfundoi Gërvalla.



