Gërxhaliu: Të pezullohet urgjentisht akciza për naftën, vendi drejt kolapsit financiar

Gërxhaliu: Të pezullohet urgjentisht akciza për naftën, vendi drejt kolapsit financiar

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka shprehur shqetësim lidhur me rritjen e çmimit të derivateve në Kosovë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet shtetërore për menaxhimin e situatës dhe zbutjen e ndikimit te qytetarët dhe bizneset.

Ai ka propozuar që të shqyrtohet menjëherë heqja e përkohshme e akcizës për derivate, duke paralajmëruar se në të kundërtën vendi mund të përballet me pasoja serioze ekonomike.

Sipas Gërxhaliut, Kosova po përballet me një seri krizash të njëpasnjëshme që po ndikojnë negativisht në zhvillimin ekonomik dhe në funksionimin e proceseve të brendshme.

Ai thekson se situata globale e paqëndrueshme ekonomike, e kombinuar me “ngrirjen politike” në vend, po e vështirëson edhe më shumë gjendjen.

“Derisa vendet e rajonit dhe botës kanë shtabe dhe grupe ekspertësh për të adresuar këto sfida, në Kosovë nuk po ndodh e njëjta gjë”, ka deklaruar Gërxhaliu në një prononcim për IndeksOnlinen.

Ai ka shtuar se përveç rritjes së çmimeve të derivateve, Kosova po përballet edhe me inflacion të lartë, i cili sipas tij po vazhdon të rritet. Në këtë kontekst, ai vlerëson se pezullimi i përkohshëm i akcizës për derivate do të ishte zgjidhje e përshtatshme deri në stabilizimin e rrethanave ekonomike.

“Është e nevojshme që kjo masë të merret për një periudhë të caktuar dhe më pas të punohet edhe në forcimin e rezervave, duke qenë se Kosova është e varur nga importi. Në të kundërtën, na pret një kolaps”, është shprehur ai.

Aktualisht çmimi për një litër naftë, varion ndërmjet 1 euro e 70 dhe 73 centë për një litër.

Zakonisht kur në tregjet evropiane apo edhe më gjerë çmimet e produkteve të ndryshme kanë shënuar ngritje, kjo është reflektuar menjëherë edhe në Kosovë, por që sipas njohësve të çështjeve ekonomike në Prishtinë, kjo nuk po bëhet kur ka ulje.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në masën e çmimit të ndonjë malli, pasi që vazhdimisht është theksuar se oferta, kërkesa dhe tregjet e jashtme, përcaktojnë çmimet e produkteve të caktuara.

Shpërndaje në: