Gilangjinjtë pushtojnë AKI’në, pranohen më të madhe në konkursin e këtij institucioni
Janë bërë një vit që kur Agjencia Kosovare e Inteligjencës kishte hapur konkurs për pranimin në punë të disa ‘spiunëve’ të rinj. Burime të Periskopit tregojnë se pjesa dërrmuese e atyre që janë përzgjedhur për t’u pranuar në punë janë nga rajoni i Gjilanit, prej nga vjen edhe shefi i AKI’së. Pikërisht për këtë Komisioni Mbikëqyrës Parlamentar kishte ftuar në raportim shefin e këtij institucioni, Petrit Ajetin.
Para një viti, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë kërkonte ‘spiun’ të profileve të ndryshme si Inteligjencë, IT, Programim, Kibernetikë, Siguri fizike dhe Shërbime mbështetëse administrative.
Këtu e gjeni linkun e konkursit: https://aki-rks.org/n21.html?fbclid=IwAR2wUpK2QFcSnc3AoKyQYkx7LYUBJ5thJhVcCdy6B7Qh_LObx_P7p9srVnE
Proceduralisht gjithçka duket se ka qenë në rregull, deri në momentin e vendosjes se kush duhet të pranohet përfundimisht në punë në këtë institucion të sigurisë së Kosovës. Duket se aty ka futur duart politika.
Burime të Periskopit kanë rrëfyer se nga numri i personave që tashmë kanë kryer të gjitha procedurat dhe janë pranuar në AKI (por që ende nuk kanë filluar punën) gjysma nga ta vijnë nga rajoni i Gjilanit, prej nga vjen edhe vetë drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.
“Nga numri total i të pranuarve në konkursin e fundit, 40 për qind vijnë nga rajoni i Gjilanit”, ka thënë një burim për Periskopin.
Një burim tjetër ka treguar në detaje se në këtë konkurs janë pranuar njerëz që janë afër pensionimit, sipas ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e që fare nuk ka të bëjë me profilin e kërkuar në konkursin e fundit në AKI.
“Paramendojeni kanë pranuar në punë një drejtor shkolle nga Gjilani, i lindur më 1970 apo që sot ka 54 vjet, përderisa ligji për AKI thotë se zyrtaret e saj dalin në pensionim të parakohshëm, në moshën 55 vjeçare”, ka thënë një burim tjetër i Periskopit.
Burime të Periskopit, po ashtu kanë treguar se disa nga anëtarët e komisionit përzgjedhës për këtë konkurs janë në lidhje familjare me eksponentë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Po këto burime kanë thënë se dy personat që dyshohet se kanë ushtruar influencën kryesore se kush do të jenë ‘spiunët’ e rinj në AKI, janë drejtori i AKI-së Petrit Ajeti dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, që është burri i presidentes Vjosa Osmani.
Sadriu e Ajeti që të dy janë nga qyteti i Gjilanit.
Çfarë di Komisioni Parlamentar për mbikëqyrjen e AKI për këto punësime në AKI?
Për punën që bënë drejtori i AKI-së , zëvendës drejtori, por edhe kryeinspektori në AKI, është një komision mbikëqyrës parlamentar, e ku aty varësisht prej rrethanave dhe gjendjes së sigurisë, ftohen që të tre të raportojnë për punën e këtij institucioni.
Raportimet në këtë komision për shkak të ndjesisë së informatave që mund të dalin gjatë raportimit, janë të mbyllura për media.
Periskopi ka kontaktuar me disa nga anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Arben Gashi deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pjesë përbërëse e këtij komisioni ka konfirmuar për Periskopi se për konkursin në fjalë e kishin ftuar në raportim drejtorin e AKI-së Petrit Ajeti.
“Nuk di shumë për konkursin, e kemi thirr në raportim drejtorin (Petrit Ajetin), ai i ka kundërshtuar këto informacione”, tha deputeti i LDK-së Arben Gashi për Periskopin.
Një tjetër anëtar i Komisionit që mbikëqyre punën e ‘spiunëve’ të Kosovës Fridon Lala ka thënë për Periskopin se nuk ka informacione për konkursin në fjalë, megjithatë ka sugjeruar se kujtdo që i është bërë e padrejtë, është mirë që të ankohet në organet përgjegjëse.
“Si anëtar i Komisionit nuk kam pranuar ndonjë ankesë, po në qoftë se ka të tilla, është mirë edhe i inkurajojmë qe me ju drejtu organeve gjegjëse për shfrytëzimin e të drejtës së ankesës. Ne si komision mbikëqyrës jo veç këtë proces, po secilin proces brenda AKI-së e mbikëqyrim dhe do të vazhdojmë njëjtë”, ka thënë Lala.
E ajo që ndoshta do të kishte informacione më të plota për konkursin në fjalë, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së Ganimete Musliu tash e disa javë ka hequr dorë përkohësisht nga funksionet e saj për shkak të problemeve me shëndetin.
Deputeti tjetër që është goxha i zhurmshëm në Kuvendin e Kosovës e që flet e tregon madje se edhe sa esspreso pi në ditë, Bekë Berisha, ka qenë goxha i rezervuar në kërkesën e Periskopit për konkursin në fjalë dhe pranimin e më shumë së gjysmës së punëtorëve të AKI përmes këtij konkursi nga rajoni i Gjilanit.
“Janë tema të ndjeshme këto … ju e dini që komisioni sa herë mbanë mbledhje është i mbyllur për media….”, ka thënë ky anëtar i Komisionit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ndryshe kohë më parë portali Albanian Post në një shkrim të publikuar në uebfaqen e tyre shkruante se si shefi i ri i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, kur kishte marrë pozitën e drejtorit, një numër zyrtarësh nga AKI u përjashtuan nga puna, nën përshtypjen se Ajeti po dëshironte të vendos rend dhe ligj brenda këtij institucioni të ndjeshëm të Kosovës.
Por, raportonte AP, nga burimet e saj se përveç parregullsive me konkurset e fundit të punësimeve ku po akomodohen militantët e Lëvizjes Vetëvendosje – për çka opozita pritet të formojë komision parlamentar për hetim – Ajeti po lejon edhe parregullsi të tjera.
Petrit Ajeti ishte emëruar drejtor i AKI-së me 15 prill të vitit 2021, duke zëvendësuar ushtruesen e detyrës në këtë pozitë, Vlora Hyseni, e cila më pas u emërua nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shtetit.
Ajeti ka përvojë pune në kapacitete të ndryshme dytësore në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës si zyrtar për koordinim të investimeve të huaja të mbrojtjes dhe ushtrues detyre i shefit të sektorit për integrim euro-atlantik.
Në faqen zyrtare të AKI-së, në pjesën e CV-së së kryeshefit, thuhet edhe se “Ajeti ka ndjekur disa programe ndërkombëtare në kuadër të zhvillimit profesional në fushën e Sigurisë”



