Gilgameshi modern

Gilgameshi modern

Shkruan: Fatvera Jonuzaj

Duke klikuar rastësisht në një artikull të huaj, has në një intervistë të aktores sime të preferuar, Julia Roberts. Ndër rreshtat e saj të sinqertë, ajo rrëfen: “Rrezikoj karrierën time për shkak të rrudhave në fytyrë, sepse nuk bëj botox dhe jam kundër çdo ndërhyrjeje.” Ky rrëfim më goditi si një vetëtimë e heshtur. Në atë çast, mendja më fluturoi jo tek bota e filmit, por te një tjetër tekst – shumë më i vjetër, shumë më filozofik – “Epi i Gilgameshit”.

Ky libër i lashtë, i shkruar rreth 3000 vjet para erës sonë, është ndoshta manifestimi i parë i pyetjeve më të mëdha që njeriu ka guxuar të bëjë: Çfarë është jeta? Çfarë është vdekja? A mund të jetojmë përjetësisht? Gilgameshi, mbreti i fuqishëm i Urukut, i tmerruar nga vdekja e mikut të tij Enkidu dhe i përballur për herë të parë me brishtësinë e jetës, niset në një udhëtim të gjatë, të mundimshëm, për të gjetur ilaqin që do ta bënte të pavdekshëm.

Por kjo histori nuk është thjesht mit i së kaluarës. Është pasqyra e një obsesioni që ende sot na ndjek: dëshira për të sfiduar kohën. Njeriu i shekullit XXI është një Gilgamesh modern. Vetëm se tani nuk niset përmes shkretëtirave dhe lumenjve legjendarë, por përmes klinikave estetike, operacioneve plastike, botox-it dhe produkteve që premtojnë “rinim të përjetshëm”.

Kosova sot, si çdo vend tjetër, është mbushur me klinika kirurgjikale. Plakja shihet si dështim, rrudhat si shenjë dobësie, ndërsa fytyrat e ngrira nga ndërhyrjet – si trofe të rinisë artificiale. Kjo nuk është më thjesht modë, është filozofi moderne: pavdekësia përmes iluzionit të përhershmërisë fizike.

Julia Roberts, në një botë ku industria e filmit e mat bukurinë me rininë, ka zgjedhur të mos ndjekë këtë rrugë. Si një lloj Enkidu modern, ajo pranon natyrën e njeriut, rrjedhën e kohës, dhe mbi të gjitha – dinjitetin e plakjes. Ajo na kujton se pavdekësia nuk është tek lëkura e tendosur, por tek prania e shpirtit, në guximin për të jetuar me të vërtetën tonë.

Gilgameshi, në fund të udhëtimit, nuk gjen ilaqin për pavdekësinë. Por gjen diçka më të vlefshme: kuptimin. Ai kupton se pavdekësia nuk vjen duke e sfiduar natyrën, por duke jetuar një jetë me vlerë. Ashtu si ai, edhe ne mund të ndalemi për një çast dhe të pyesim: në çfarë po e kërkojmë përjetësinë? Në fytyrën pa rrudha apo në kujtimin që lëmë pas?

Në fund, ndoshta gjithçka që mbetet është ajo që kemi krijuar – si fjala, si dashuria, si e vërteta. Dhe ky është ilaqi më i afërt me pavdekësinë.

Shpërndaje në: