Gjenden eshtra në Rahovec, dyshohet se i përkasin luftës së fundit
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur kanë njoftuar se gjatë diëts së sotme në Rahovec janë gjetur eshtrat e një personi të vrarë e që dyshohet se është nga lufta e fundit.
Njoftimin e ka bërë vetë Komisioni Qeveritar për Persona të pagjetur.
“Sipas planifikimeve operacionale, gërmimet kanë filluar ditën e djeshme, ku janë gjetur dy pjesë ështërore , të cilat janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa gjatë ditës së sotme, janë gjetur mbetje mortore te të paktën një individi, të cilat mund t’i përkasin viktimave të luftës që mund të jetë në listën e personave të zhdukur”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh) pas analizimit të të dhënave të siguruara nga arkivat ndërkombëtare me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), ka iniciuar aktivitetet kërkimore në një lokacion në rajonin e Rahovecit, të njohur në evidencat kadastrale dhe nga komuniteti lokal si ‘Përzhina’, në afërsi të varrezave të qytetit.
Sipas planifikimeve operacionale, gërmimet kanë filluar ditën e djeshme, ku janë gjetur dy pjesë ështërore , të cilat janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa gjatë ditës së sotme, janë gjetur mbetje mortore te të paktën një individi, të cilat mund t’i përkasin viktimave të luftës që mund të jetë në listën e personave të zhdukur.
Gërmimet po realizohen nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës- në kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Me këtë rast, duke qenë se ky lokacion është edhe lokacioni i fundit, adresuar në kuadër të gërmimeve vlerësuese të planifikuara për vitin 2025, ju njoftojmë se ditën e nesërme, më 19.12.2025, duke filluar nga ora 11:00, do të ketë prononcim për media (nga lokacioni në fjalë) lidhur me ecurinë e deritanishme të aktiviteteve kërkimore në këtë lokacion dhe lokacionet tjera.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, mbeten të përkushtuara në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe në informimin e rregullt të opinionit publik, duke respektuar ndjeshmërinë e procesit dhe dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre.



