Gjermania rrit fuqinë ushtarake: Evropa në ankth, Franca ngre alarmin
Berlini po bën pikërisht atë që ka rënë dakord brenda aleancës së NATO-s: është angazhuar të shpenzojë mbi 500 miliardë euro për mbrojtjen deri në vitin 2029, duke arritur objektivin e ri të Aleancës për shpenzime ushtarake në nivelin 3,5% të PBB-së, gjashtë vite më herët nga sa kërkohej.
Megjithatë, siç vëren Bloomberg, edhe pse NATO vlerëson rritjen e kapaciteteve ushtarake të Gjermanisë, në disa kryeqytete europiane po shfaqen dyshime për rikthimin e Bundeswehr-it si një forcë dominuese. Këto shqetësime shtohen edhe më shumë nga fakti se një parti e djathtë ekstreme dhe nacionaliste po shënon nivele historike mbështetjeje në Gjermani, duke ringjallur frikën se një qeveri pro-europiane nuk mund të konsiderohet e mirëqenë, shkruan tpz.al.
Shqetësimet franceze
Në Francë, një nga fuqitë ushtarake më të mëdha të Europës dhe e vetmja me kapacitete bërthamore të zhvilluara brenda BE-së, atmosfera përshkruhet si kontradiktore. Nga njëra anë, ka lehtësim që Gjermania po “bën më shumë” për mbrojtjen. Nga ana tjetër, ekziston frika se industria gjermane e armëve mund të zëvendësojë sektorin francez të mbrojtjes, duke marrë parasysh fuqinë financiare të Berlinit.
Katër zyrtarë francezë, që folën për Bloomberg nën kushtin e anonimatit, thanë se ekziston një ndjenjë e përgjithshme shqetësimi për rritjen e fuqisë ushtarake të Gjermanisë dhe peshën politike që e shoqëron atë.
“Franca ndodhet në një situatë të brishtë dhe angazhimi kaq i fortë i Gjermanisë do të krijojë një dinamikë që mund të na lërë mënjanë”, tha eurodeputeti francez François-Xavier Bellamy. “Paqëndrueshmëria e brendshme po dobëson peshën gjeopolitike të Francës”, shtoi ai.
Gjermania ndryshon ekuilibrat
Sipas Claudia Major, zëvendëspresidente e lartë e Fondit Gjerman Marshall, për shkak të historisë së saj, Gjermania kishte pranuar për dekada të mbetej në plan të dytë politikisht, edhe pse u shndërrua në fuqi ekonomike. Por sot, me procesin e riarmatimit, qendra e gravitetit të Europës po zhvendoset drejt Berlinit, duke rritur nervozizmin në Paris.
“Ekzistonte një ekuilibër i pranuar gjerësisht: Franca si fuqi gjeopolitike dhe Gjermania si fuqi ekonomike”, shpjegon Major. “Tani Gjermania po i bën të dyja dhe po përpiqet ta integrojë këtë fuqi të re në Europë, gjë që e vë Francën në një pozicion të vështirë”.
Nën kancelarin Friedrich Merz, Gjermania ka hequr de facto kufizimet e rrepta të borxhit për shpenzimet e mbrojtjes, duke hapur rrugën për financime të paprecedenta me synim përballimin e një Rusie gjithnjë e më armiqësore.
Fuqi që pak vende e ndjekin
Edhe vendet nordike, shtetet baltike dhe Polonia po rrisin ndjeshëm shpenzimet ushtarake, por pak prej tyre mund të rivalizojnë shpejtësinë dhe shkallën e Gjermanisë. Ndërkohë, Franca, Italia dhe Spanja kanë shumë pak hapësirë fiskale për të rritur ndjeshëm buxhetet e mbrojtjes.
Berlini thekson se po e koordinon forcimin ushtarak ngushtë me aleatët. Gjatë një vizite në dhjetor, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi hapur Gjermaninë: “Kjo është pikërisht vendosmëria që na nevojitet për sigurinë tonë. Gjermania po udhëheq me shembull”.
Projekte dhe tensione
Megjithatë, marrëdhëniet me Francën nuk kanë qenë gjithmonë të lehta. Parisi u ndje i anashkaluar nga iniciativa gjermane për mbrojtjen ajrore europiane dhe u zhgënjye edhe më shumë nga vendimi i Berlinit për të blerë 35 avionë luftarakë amerikanë F-35, në vend të alternativave europiane.
Nën Merz, blerjet e armëve amerikane janë ngadalësuar, pjesërisht për shkak të tensioneve në marrëdhëniet transatlantike gjatë presidencës Trump. Megjithatë, bashkëpunimi franko-gjerman në mbrojtje mbetet i vështirë, ndërsa projekti ambicioz i avionit luftarak të gjeneratës së gjashtë (FCAS) rrezikon të dështojë për shkak të mosmarrëveshjeve industriale.
Frika nga skenari politik
Pavarësisht përfitimeve strategjike, politika e brendshme gjermane po shkakton ankth në Europë. Partia e djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD) kryeson në disa sondazhe dhe pritet të shënojë rezultate të forta në zgjedhjet lokale në Gjermaninë lindore.
“Ekziston një shqetësim në rritje për atë që mund të ndodhë me këtë forcë të madhe ushtarake gjermane nëse AfD vjen në pushtet”, paralajmëroi Jana Puglierin nga Këshilli Europian për Marrëdhënie me Jashtë.
Ndërsa Gjermania po shndërrohet në shtyllë kyçe të mbrojtjes europiane, pyetja që shtrohet në kryeqytetet e BE-së nuk është më nëse Berlini duhet të marrë më shumë përgjegjësi, por si do të menaxhohet kjo fuqi e re në një Europë gjithnjë e më të brishtë politikisht.



