“Gjermania do t’na e ketë lakmi. Tung Gjermani, a po e do Arben Vitinë”: Pse eksponentë të pushtetit tallen kësisoji me popullin

“Gjermania do t’na e ketë lakmi. Tung Gjermani, a po e do Arben Vitinë”: Pse eksponentë të pushtetit tallen kësisoji me popullin

Derisa ikja e të rinjve vazhdon të jetë shqetësim i madh për vendin, eksponentë të pushtetit, vazhdojnë të lëshojnë deklarata se ‘Gjermania shumë shpejt mund t’ia ketë lakmi Kosovës për punët e mira’. Shpresojmë që kjo deklaratë të mos mbërrijë momentalisht në veshët e Kancelarit gjerman, z.Olaf Scholz, jo për diçka, por veç të mos dukemi tepër qesharakë.

Në nëntorin e vitit të kaluar, Gjermania po përballej me situatë të rëndë pandemike. Kosova, ishte atëkohë më qetë krahasuar me vendet e rajonit por edhe në botë, në përgjithësi.

Këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti, znj. Fëllanza Podrimaj, ishte bërë lajm – jo edhe aq për të mirë – në media, pasi kishte pyetur shtetin gjerman se a iu nevojitej ndihmë duke nënkuptuar se ‘mund t’ua nisnim Arben Vitinë për t’i vendosur gjërat në vend’.

“Tung Gjermani. A ju duhet Arben Vitia për t’i vendosur gjërat në vend? Kjo është e tmerrshme”, ka shkruar Podrimja duke e shpërndarë një tabelë me shifrat e COVID në shtetet e botës.

Cicërima e znj.Fëllanzë ishte kritikuar nga media, shoqëria civile e gazetarë, shkaku që tingëllonte edhe si ironi karshi një vendi tepër mik që po përballej me situatë shumë të rëndë.

Por, ç’është ky pasion kaq i madh që ta bëjmë Gjermaninë t’na e ketë lakminë? (Shpresojmë që do të ndodhë kështu ndonjëherë, por situata në terren tregon se larg kësaj lakmie jemi).

Kryeministri Albin Kurti, mbrëmë në intervistën për RTK-në, e pranoi se është ‘brengosëse ikja e të rinjve nga Kosova’.

“Na shqetëson ikja e rinisë, mungesa e punësimit dhe sidomos punësimit në profesionin e caktuar të të riut, ka ndikuar që ata të emigrojnë nga vendi ynë”, tha kryeministri mbrëmë për RTK, përcjell Periskopi.

Por eksponentë të pushtetit, deputetë, këshilltarë etj. vazhdojnë të flasin ‘ëndrrën e lakmisë’ që do t’na e ketë Gjermania.

Nuk dihet pse na është tekë ky shtet, por ndoshta pse kemi shumë diasporë atje.

Deputeti i VV-së Dimal Basha, duke lavdëruar punën e qeverisë, tha se ‘nëse vazhdojmë kështu edhe Gjermania do t’na e ketë lakmi’.

“Janë pshtu 30 milionë euro, edhe 30 këtu. bëjnë 60 milionë. Këto janë shumë pare e me vazhdu me punu qishtu, unë të premtoj që edhe Gjermania ka me na marrë lakmi”, u shpreh ai në ATV./Periskopi/

Shpërndaje në: