Gjimnastja më e mirë për dy vite me radhë planifikon ta braktisë sportin shkaku i refuzimit nga Federata
Gjimnastja më e mirë e Kosovës për dy vite me radhë Leonisa Reka nuk është ftuar nga Federata e Gjimnastikës së Kosovës për të marrë pjesë në garën ndërkombëtare të gjimnastikës që do të mbahet në Itali. Kosova do të përfaqësohet nga katër gjimnaste nga klubi “Elita”.
Zeqir Reka, babai dhe trajneri i gjimnastes më të mirë për dy vite me radhë në Kosovë Leonisa Rekës, është shprehur i habitur dhe i zhgënjyer për shkak se vajza e tij nuk është ftuar për të marrë pjesë në garën ndërkombëtare në Itali.
Reka ka treguar fjalët dëshpëruese të vajzës së tij e cila ka kërkuar që ta ndërpresë karrierën e saj si gjimnaste për shkak të “injorimit” që i është bërë nga Federata e Gjimnastikës së Kosovës. Ai thotë se nuk e di arsyen përse vajza e saj nuk është ftuar në këtë garë.
“Vajza ime është shpallur gjimnastja më e mirë në dy vitet e fundit në Kosovë dhe padrejtësisht është anashkaluar për interesa që ku ta di unë çfarë kanë qenë ato dhe i kanë dërguar një grup prej katër vajzave të tjera, ndërsa vendin e parë e kanë anashkaluar”, ka thënë Reka për Insajderin.
Babai dhe trajneri i Leonisës ka thënë se vajza i ka kërkuar që të lihet sporti i gjimnastikës për shkak të refuzimit që asaj iu bë në këtë garë.
“Në dy vite me radhë në vitin 2016 dhe në vitin 2017 është shpallur gjimnastja më e mirë e Kosovës. Me të vërtetë unë nuk kam ndonjë informacion përse vajza ime është anashkaluar dhe nuk është përzgjedhur për të marrë pjesë në këtë turne. Kur kanë shkuar katër gjimnaste pse mos të jetë edhe vajza ime aty, këtu është problemi sepse federata ka pas gisht këtu jam shumë i sigurt”.
“Unë ju uroj suksese atyre vajzave, por më së shumti po më dhimbset vajza ime e cila vetëm sa nuk ka qau dhe më tha se do të la krejt gjimnastikën sepse gjithë këtë mund, më tha e kam bë deri tash dhe po refuzohem”, ka rrëfyer Reka.
Babai dhe trajneri i gjimnastes shprehet i sigurt se në gjithë këtë rast ka gisht edhe Federata e Gjimnastikës së Kosovës.
“Nëse klubi i gjimnastikës ‘Elita’ ka arrit në mënyrë individuale me depërtuar jashtë shtetit unë e përgëzoj dhe i uroj shumë suksese, por nëse federata ka vendosë me i dërguar ata dhe me e anashkalu kampionen e vetë me të vërtetë nuk e di çfarë të them”, ka thënë Reka.

Federata tregon arsyen përse u la jashtë gjimnastja më e mirë e Kosovës
Kryetar i Federatës së Gjimnastikës së Kosovës, Besim Halilaj, ka dhënë dy arsyeje përse Leonisa është lënë jashtë kësaj gare. Ai ka thënë për Insajderin se arsyeja e parë është për shkak që klubi “Elita” ka qenë ajo që ka marrë ftesë nga Federata e Italisë për të marrë pjesë në këtë garë.
Ai ka thënë se në bashkëpunim me klubin “Elita”, Federata e Gjimnastikës ka vendosur që katër gjimnastët ta përfaqësojnë Kosovën e jo vetëm klubin “Elita”. Si dhe ai ka thënë se gjimnastet e këtij klubi janë gjimnastet më të mira në Kosovë.
“Ekipi i Gjimnastikës ‘Elita’ nga Prishtina që është i regjistruar tek ne e ka marrë një ftesë prej Italisë për me marrë pjesë në aktivitetin Championship Italia në bisedimet e klubit me federatën kemi ra dakord mos me shkuar ata si klub, por me shkuar si federatë e gjimnastikës dhe është bë një kombinim sepse edhe ata fëmijë që kanë shkuar janë prej më të mirëve të Kosovës. Përzgjedhja ka shkuar në atë formë ndërsa është një diçka e mirë që Kosova po fillon me marrë pjesë edhe jashtë vendit në aktivitetet sportive”, ka thënë Halilaj për Insajderin.
Halilaj pranon se Leonisa ka qenë gjimnastja më e mirë në Kosovë në dy vitet e fundit, por ai thotë se situatë në vendin tonë tash ka ndryshuar. Thotë se me ardhjen e trajneres me përvojë Abelajna Bregu, ka ndryshuar situata. Sipas tij në Kosovë ka edhe gjimnaste të tjerë të mirë përveç Leonisës.
“Ka qenë ndër të fundit në dy vitet e fundit mirëpo tash ka ndryshuar tabela sepse klubet tjera kanë filluar me përparuar Leonisa Reka është një gjimnaste shumë e mirë, por nuk është më e vetmja tash ka shoqe të mira në këtë sport. Klubi ‘Elita’ ka marrë personalisht ftesë personalisht e sqarova edhe më herët”, ka thënë ai.
Kryetari i Gjimnastikës thotë se mundësia për ta marrë ndonjë gjimnaste tjetër në këtë turne ka qenë e pamundur për shkak të kohës së shkurt.
“Ka qenë koha shumë e shkurt për me marrë ndonjë gjimnaste tjetër kemi biseduar edhe me përfaqësues të klubeve dhe kemi pa se është shumë e vonë dhe jemi marrë vesh me shkuar klubi “Elita” me e përfaqësuar Kosovën dhe nuk ka asgjë të keqe këtu”, ka deklaruar Halilaj
Megjithatë ai thotë se Leonisa do të përfaqësoj Kosovën në Maqedoni në një garë që synohet të bëhet e ngjashme me Ligën Ballkanike.
“Me datën 9 do të marrin pjesë në Maqedoni atje pretendohet me e bë një garë sikur ligë ballkanike për gjimnastikë dhe Kosova aty është ftuar aty dhe sigurisht do të ftohet sigurisht edhe Leonisa”, ka deklaruar ai.



