Gjini i reagon ministrit Vitia: Skandaloze ideja për t’i sjellë në Kosovë të infektuarit me koronavirus
Sot në media është raportuar se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka planifikuar sjelljen në Kosovë të të infektuarve me koronavirus.
Lidhur me këtë ka reaguar nënkryetari i AAK-së, njëherit kryetar i Gjakovës, Ardian Gjini duke thënë se një gjë e tillë është skandaloze.
Gjini ka thënë se nëse nuk konsultohet me pushtetin lokal për të ditur pajisjet e spitalit të Gjakovës, nuk do të guxojë të sjellë asnjë të sëmurë nga askund.
Ky është postimi i tij:
Deklarata e Ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, për sjelljen e të infektuarve me koronavirus nga Shqipëria në Gjakovë dhe Prizren është skandaloze.
Përderisa vende shumë të zhvilluara hyjnë në karantinë, ky patrioti axhami provon me importu të infektuar.
Ministri duhet të pyes së pari çfarë paisje ka spitali i Gjakovës. Së dyti duhet të konsultohet me pushtetin lokal dhe të bëhet gati për përballimin e pasojave dhe së treti të bëhet gati të vijë edhe vet në spital në Gjakovë.
Përndryshe nuk ka me guxu me e sjellë asnjë të sëmurë nga askund.
Në Gjakovë ka njerëz që jetojnë. E Kosova nuk është Korea e Veriut me vendos dikush kësisoji pa kurrfarë konsulte paraprake.
Eja së pari ti vet në Gjakovë ministër e pastaj shohim.



