Gjykata do të lëshojë urdhërarrest për deputetin e VV`së Egzon Azemin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, nuk është paraqitur në gjykatë më 07.04.2026, në rastin në të cilin po akuzohet së bashku me Arlind Manxhukën, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelajn, për kanosjen ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe ish-prokurorit, Afrim Shefkiu.
Mentor Bajraktari si gjyqtar i procedurës paraprake dhe prokurori Afrim Shefkiu kishin ndërmarrë veprim për ndryshim të masës së paraburgimit në rastin ku i dyshuari për sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut ishte Dejan Pantiq.
Në këtë rast, mbi të akuzuarit rëndojnë veprat penale, kansoje dhe nxitje e urrejtes dhe përçarjes.
Me të hyrë në sallën e gjykimit, gjyqtari Kushtrim Shyti konstatoi mungesën e të akuzuarit Egzon Azemi, për të cilin avokatja e tij Teuta Xhema tha se para dy ditësh ka komunikuar me klientin e saj dhe se i është konfirmuar nga Azemi se do të marrë pjesë në seancën e sotme.
Gjyqtari Shyti njoftoi të pranishmit se seanca do të shtyhet për sesionin e pasdites ndërsa për të akuzuarin Egzon Azemi do të lëshojë urdhërarrest.
“Nuk ka kushte për t’u mbajtur seanca, andaj merr aktvendim: seanca e sotme e paraparë të mbahet në ora 9:30 nuk do të mbahet, e njëjta caktohet për në ora 13:15, ku për të pandehurin Egzon Azemi gjykata do të lëshojë urdhërarrest”- tha gjyqtari Shyti më 07.04.2026.
Kallxo ka bërë përpjekje që të kontaktojë Azemin përmes thirrjes telefonike dhe më pas përmes mesazhit telefonik, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.Gjykata e Prishtinës më 07.03.2025 e kishte liruar nga akuza Arlind Manxhukën, ndërsa Egzon Azemin, Qerim Elshanin edhe Edi Zenelajn i kishte shpallur fajtorë.
Sipas këtij aktgjykimi, Egzon Azemi ishte dënuar me burgim prej 6 muajsh, pasi ishte bërë rikualifikimi i veprës penale nga “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” në “kanosje”.
Qerim Elshanit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 6 muajsh për veprën penale “kanosje”, ndërsa Edi Zenelajt i kishte shqiptuar dënim me burgim, në kohëzgjatje prej 6 muajsh.Ndaj Edi Zenelajt ishte bërë poashtu rikualifikimi i veprës penale nga “kanosje” në “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Ky vendim ishte marrë nga trupi gjykues i përbërë nga Arben Hoti (Kryetar i trupit gjykues), Kushtrim Shyti dhe Valon Kurtaj (anëtarë).
Ndërsa Gjykata e Apelit me aktgjykimin e datës 27.11.2025 e ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe rastin e ka kthyer në rigjykim.Dy zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi, së bashku me dy të akuzuarit e tjerë, Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj, po akuzohen nga Prokuroria për kanosje dhe nxitje të përçarjes për shkak të reagimeve të tyre ndaj ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiut, dhe gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Mentor Bajraktarit.
Seanca në Gjykatën e Apelit për këtë rast ishte mbajtur më 27.10.2025 ndërsa aktgjykimi mban datën 27.11.2025.Vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë nga kolegii gjykues i përbërë nga Ferit Osmani (kryetar i kolegjit), Avni Mehmeti dhe Mentor Hajraj (anëtarë).
Në shkallën e parë trupi gjykues i cili ka trajtuar këtë rast ka qenë i përbërë nga Arben Hoti (kryetar), Kushtrim Shyti dhe Valon Kurtaj (anëtarë).Ndërsa aktakuza është përfaqësuar nga prokurorja Fikrije Zejnullahu.
Në seancën e datës 21.11.2024, prokurorja Fikrije Fejzullahu kishte bërë precizmin e aktakuzës sa u përket të pandehurve Egzon Azemi dhe Arlind Manxhuka lidhur me pozitën për të cilën të njëjtit akuzoheshin atëkohë “si persona zyrtarë”.
Prokurorja në këtë seancë kishte thënë se në kohën kur ishte kryer vepra penale, të njëjtit nuk kishin ndonjë pozitë zyrtare por që ishin në cilësinë e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.Shqyrtimi fillestar lidhur me këtë rast ishte mbajtur më 03.04.2024, kur katër të akuzuarit nuk e kishin pranuar fajësinë.
Më 27.11.2024 ishin dëgjuar në cilësi të dëmtuarit ish-prokurori i Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu, dhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Mentor Bajraktari.
Në seancën e datës 03.03.2025, të akuzuarit kishin dhënë mbrojtjen e tyre, ndërsa më 04.03.2025 palët në procedurë kishin dhënë fjalën përfundimtare.Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?Sipas aktakuzës së siguruar nga Kallxo , Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi akuzohen se kanë kryer veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit.
Dosja e Prokurorisë tregon se dy të akuzuarit, secili veç e veç, kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim përmes profileve të tyre në rrjetin social Facebookut ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu, më 28.12.2022.Mentor Bajraktari si gjyqtar i procedurës parapake dhe prokurori Afrim Shefkiu kishin ndërmarrë veprim për ndryshim të masës së paraburgimit në rastin ku i dyshuari për sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut është Dejan Pantiq.
Lidhur me këtë veprim të gjyqtarit dhe prokurorit kishin reaguar publikisht dy të akuzuarit, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi.Sipas Prokurorisë, i akuzuari Arlind Manxhuka kishte shpërndarë postime në rrjetin e tij social Facebook me mbishkrimin.
“Ky aktlirim është akttradhëti” duke vazhduar me postime të tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?”
Kurse i akuzuari tjetër, Egzon Azemi, sipas Prokurorisë kishte bërë postime me mbishkrime “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pashë Toptanit, ndër të tjera Avniu tha:” e këtij shkrimi ia kishte bashkëngjiur fotografitë me përshkrimin “Tradhtarët plumbin e kanë hak”.
Kurse të pandehurit e tjerë Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj akuzohen për veprën penale të kanosjes, secili veç e veç.
Në postimet e lartcekura kishin komentuar fillimisht i akuzuari Qerim Elshani, në postimin e Egzon Azemit ishte shprehur: “Atij jo plumbin, po bumen n’goj po dashke me ja lshu qe mos mi jet as copza me hy n’dhe ne token tone!”.Kurse i akuzuari Edi Zenelaj kishte ndërmarrë aksione duke vendosur grafite në muret më mbishkrimin “Shtyll e Turpit Gjyqtari Mentor Bajraktari dhe Prokurori Afrim Shefkiu”.



