Gjykata e Lartë refuzon rekursin, Ilir Meta mbetet në qeli
Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka rrëzuar rekursin e ish-presidentit Ilir Meta kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Meta, i cili ndodhet në qeli prej një viti, kishte kërkuar shfuqizimin e vendimeve të mëparshme të Shkallës së Parë dhe të Apelit të Posaçëm, të cilat kishin refuzuar kërkesën e tij për lirim, raporton A2 CNN.
Dosja ndaj Metës dhe disa bashkëpandehurve të tjerë ndodhet ende në fazën e shqyrtimit paraprak në Gjykatën e Posaçme. Ish-presidenti akuzohet për veprat penale të “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë”.



