Goditje e rëndë për Real Madridin, UEFA e dënon Rodrygon me dy ndeshje pezullim
Real Madridi ka marrë një goditje të madhe para fazës vendimtare të Ligës së Kampionëve, pasi UEFA ka vendosur ta dënojë sulmuesin brazilian Rodrygo me dy ndeshje pezullim, pas kartonit të kuq të marrë ndaj Benficës.
Rodrygo u ndëshkua me dy kartonë të verdhë në minutat shtesë të ndeshjes në Lisbonë, pas protestave të ashpra ndaj asaj që ai e konsideroi si humbje kohe nga skuadra portugeze. Megjithëse zakonisht një përjashtim me dy të verdhë sjell vetëm një ndeshje pezullim, komiteti disiplinor i UEFA-s vendosi një dënim më të ashpër për shkak të fyerjeve dhe gjuhës ofenduese ndaj arbitrit.
Si pasojë, 25-vjeçari do të mungojë në të dyja ndeshjet e “play-off”-it të Ligës së Kampionëve kundër Benficës, ku Real Madridi do të kërkojë kualifikimin për në fazën e 1/8 së finales.
Humbja 4-2 ndaj skuadrës së drejtuar nga Jose Mourinho bëri që “Los Blancos” të mos siguronin kualifikimin direkt, duke përfunduar jashtë tetëshes më të mirë në fazën e ligës. Tani, përballja me Benficën do të zhvillohet pa një nga armët kryesore sulmuese.
Rodrygo ka reaguar pas ndëshkimit duke kërkuar falje publike në rrjetet sociale, duke pranuar se kishte humbur kontrollin në momentin e tensionit.
Situata komplikohet edhe më shumë për Real Madridin, pasi Jude Bellingham dhe Eder Militao do të mungojnë gjithashtu në këto përballje, duke i shtuar telashet trajnerit Alvaro Arbeloa për sfidën vendimtare evropiane.



