Grabitja e Luvrit: Policia arreston katër të dyshuar të tjerë
Autoritetet franceze arrestuan të martën katër të dyshuar të tjerë në lidhje me grabitjen e bizhuterive muajin e kaluar nga muzeu i Luvrit.
“Ata janë dy burra të moshës 38 dhe 39 vjeç, dhe dy gra të moshës 31 dhe 40 vjeç, të gjithë nga rajoni i Parisit,” tha prokurorja e Parisit Laure Beccuau.
Bizhuteritë e vjedhura, të vlerësuara të kenë një vlerë prej rreth 88 milionë eurosh, nuk janë rikuperuar që nga vjedhja e 19 tetorit.
Një deklaratë nga zyra e prokurorit shtoi se katër persona që ishin arrestuar ishin vënë nën hetim në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit në lidhje me grabitjen, shkruan DW.
I dyshuari kryesor është lidhur tashmë me vjedhjen nga provat e ADN-së, të gjetura në njërën nga vitrinat e qelqit ku ishin ekspozuar bizhuteritë, siç u raportua më 30 tetor.
Ndërkohë, gazeta Le Parisien ka raportuar se një nga të arrestuarit të martën ishte anëtari i katërt i bandës që organizoi grabitjen. Vjedhja ndodhi kur autorët e maskuar parkuan një kamion të pajisur me një platformë ngritëse pranë muzeut.
Dy nga hajdutët prisnin në skuterë në rrugë jashtë, ndërsa dy të tjerët përdorën platformën ngritëse për të arritur në një ballkon të katit të parë dhe për të hyrë në muze.
Banda iku me skuterë me tetë bizhuteri të çmuara që i përkisnin ish-mbretëreshave dhe perandoreshave – duke përfshirë diadema, gjerdanë, vathë dhe brosha të zbukuruara me gurë të çmuar.
Një kurorë me diamante dhe smeralde që dikur i përkiste Perandoreshës Eugenie, gruas së Napoleonit III, u hodh ndërsa hajdutët u arratisën.



