Gruda për Presidentin: VV ka rënë pre e standardit të ndërtuar vet, tallje me proceset politike
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda në Klan Kosova, ka folur për situatën aktuale politike në vend.
Në lidhje me zgjedhjen e Presidentit, ai tha se Vetëvendosja ka rënë pre e standardit të ndërtuar vet, siç tha, për t’u tallur me proceset politike.
“Unë mendoj që ajo që ka ndodhur është se Vetëvendosja ka rënë pre e një standardi që e ka ndërtuar vet, standardi të mbrapsht, për t’u tallur me proceset politike dhe mos me marrë seriozisht asnjë proces, në këtë rast procesin e dialogut politik për ta zgjedhur Presidentin e ri”, tha Gruda.
Duke folur për VV-në, ai u shpreh se kjo parti ka menduar që opozita është e dërmuar nga rezultati i zgjedhjeve dhe sipas tyre, do ta votojnë këdo që propozohet për President.
“Këta kanë shprehur që opozita është e dërmuar nga rezultati i zgjedhjeve, nuk reziston aspak dhe këdo që e qesin e votojnë, përfshirë edhe Glauk Konjufcën, por nuk ka dalë ashtu”, u shpreh deputeti i PDK-së.



