Gruda: Situata me vërshime në Drenas është më stabile, pa kërkesa për evakuim
Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Komunën e Drenasit, Nexhmedin Gruda, për RTV21 ka bërë të ditur se situata e krijuar nga vërshimet është më stabile, ndonëse disa zona të komunës vazhdojnë të përballen me vështirësi.
Sipas tij, problemet më të mëdha janë evidentuar në zonën e qendrës tregtare dhe në disa fshatra përreth Drenasit.
Gruda ka theksuar se rruga Drenas–Komoran ka qenë e kalueshme edhe gjatë ditës së sotme, por me kujdes të shtuar, ndërsa disa rrugë të tjera ende mbeten të bllokuara si pasojë e vërshimeve. Ai ka shtuar se ekipet komunale janë në terren dhe po monitorojnë situatën.
“Situata është më stabile, problemi më i madh ka qenë te qendra tregtare e Drenasit dhe në disa fshatra përreth komunës. Rruga Drenas–Komoran ka qenë e kalueshme, por me kujdes të shtuar, ndërsa rrugët e tjera ende janë të bllokuara. Sot nuk kemi pasur kërkesa për evakuimin e asnjë familjeje”, ka deklaruar Gruda.



