Gruda thotë se s’ka dilemë që dekreti i Osmanit është kushtetues: Besoj se do të konfirmohet edhe nga Gjykata

Gruda thotë se s’ka dilemë që dekreti i Osmanit është kushtetues: Besoj se do të konfirmohet edhe nga Gjykata

Deputeti i Partisë Demokratike, Përparim Gruda, ka thënë se nuk ka asnjë dyshim për kushtetutshmërinë e vendimit të Presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se beson që kjo do të konfirmohet edhe nga Kushtetuesja.

“Nuk ka dilemë që Dekreti është kushtetues. Unë besoj do të konfirmohet edhe nga Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar Gruda.

Duke komentuar për pasojat e shpërndarjes së Kuvendit, Gruda tha se kjo do ta linte vendin me një qeveri në dorëheqje e cila do të vazhdonte të mbante privilegjet e pushtetit pa sjellë asnjë përfitim për qytetarët, duke e rikthyer vendin në situatën identike të para një vitit.

“Nëse Kuvendi shpërndahet, kemi qeveri në dorëheqje. Kjo është qeveri në dorëheqje pastaj dhe do të jemi në një situatë ku këta vazhdojnë i marrin vetëm privilegjet por kurrgjë qytetarëve nuk iu kthehet” tha Gruda në ATV.

Gruda i vlerësoi përpjekjet e opozitës për çështjen e presidentit rreth gatishmërisë për një kandidat konsensual, por se, sipas tij, Kurti nuk ka pasur interes që ky proces të përfundonte me marrëveshje.

“Është hera e parë që një opozitë tregohet kaq konstruktive që me gjet një President konsensual. Nuk ka dashtë e ka dizajnuar të gjithë procesin për të dështuar. Një diçka i mungon dizajnimit për me dështu procesin; fajësimi i opozitës”, shtoi ai.

Sipas Grudës, që në start procesi ishte i dizajnuar për të zgjedhur Glauk Konjufcën në krye të shtetit, dhe se thirrjet e Kurtit për diskutime nuk ishin serioze por, siç e quajti ai, “konsumim i pritjeve të publikut.”

“Kësaj here është problematik mendoj unë. Unë jam i bindur që procesi nga fillimi ka qenë i dizajnuar për Glauk Konjufcën. Konsulimi me partitë opozitare ka qenë vetëm konsumim i pritjeve të publikut”, tha Gruda.

Ai akuzoi Kurtin se është i përqendruar te procedurat dhe te zgjerimi i pushtetit, e jo te zgjidhja e problemeve që prekin qytetarët.

“Krejt çka ka është kurthimi në kthinat e Kuvendit, në procedura, në kravatë të shtrëngume për me marrë më shumë e më shumë pushtet. Pangopësia për pushtet e Albin Kurtit po e mban Kosovën peng. Po na mban të gjithëve peng.”, tha deputeti i PDK-së.

Shpërndaje në: