Gucati: Serbia ka angazhuar diplomatë për të lobuar kundër krerëve të UÇK-së, Kosova asgjë
Hysni Gucati, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), në emisionin “Reel Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskopi dhe T7, ka thënë se efekti i protestave ka qenë shumë i madh, sepse sipas tij janë liruar shumë masa për krerët e UÇK-së që po gjykohen.
“Është krejt tjetër trajtim atje dhe qëllimi i protestave ka qenë sensibilizimi”.
Gucati ka thënë se protesta e thirrur më 17 shkurt për të kërkuar drejtësi për krerët e UÇK-së është festë dhe protestë njëkohësisht.
“Unë kisha bërë thirrje që anë e kënd ku ka shqiptarë të vijnë të gjithë në Prishtinë, sa më shumë, sepse është simbolikë dhe ndërkombëtarët e shohin”, ka thënë Gucati.
Ai ka bërë të ditur se do të ketë protestues nga të gjitha viset shqiptare dhe se numri do të jetë i madh.
“Populli është me UÇK-në dhe me liridashësit. Unë kam shpresë që numri do ta kalojë 100 mijë. Do të kemi nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Presheva”.
Gucati ka ndarë edhe disa informacione që, sipas tij, dhjetëra diplomatë serbë janë paguar për të lobuar që të dënohen krerët e UÇK-së, ndërsa, sipas tij, Kosova nuk ka bërë asgjë.
“Dua të them një të vërtetë, se 60 diplomatë serbë i ka paguar Serbia nëpër Evropë qe tri javë, duke lobuar kundër Hashim Thaçit. Çka kemi bërë ne? Asnjë diplomat nuk e kemi jashtë vendit për të lobuar kundër padrejtësisë”, ka thënë Gucati.



