Hamza i gëzohet lirimit të Smakajt, Fazliut e Shales: Pa u kthyer edhe të tjerët, drejtësia mbetet e mangët
Kryetari i PDK-së Bedri Hamza i është gëzuar lirimit me kusht të Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut e Haxhi Shales.
Hamza përmes një postimi në Facebook tha se ky gëzim nuk është plotë, pa kthimin edhe të tjerëve që po mbahen në Hagë.
Postimi:
Më në fund erdhi një lajm i mirë. Lirimi me kusht i Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Haxhi Shalës është një lajm i gëzueshëm për familjet e tyre dhe për të gjithë ne që besojmë në pafajësinë e çlirimtarëve tanë.
Megjithatë, ky gëzim nuk është i plotë, as për ta e as për ne. Në Hagë po vazhdojnë të mbahen padrejtësisht edhe çlirimtarë të tjerë. Dhe përderisa edhe një i vetëm prej tyre nuk është kthyer në shtëpi, drejtësia mbetet e mangët.
Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare, e udhëhequr nga ideali i lirisë dhe nga mbrojtja e popullit tonë.



