Hamza kujton Konferencën e Rambujesë: Nën udhëheqjen e Thaçit, Kosova zgjodhi paqen, lirinë dhe anën e drejtë të historisë
Me rastin e përvjetorit të fillimit të Konferencës së Rambujesë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kujtuar rëndësinë historike të këtij procesi për fatin e Kosovës.
Sipas Hamzës, më 6 shkurt 1999 Kosova foli me zërin e saj dhe vendosi për të ardhmen e vet, duke zgjedhur paqen, lirinë dhe rrugën e drejtë të historisë. Ai theksoi se delegacioni i Kosovës në Rambuje, i udhëhequr nga Hashim Thaçi si kryesues, luajti rol kyç në këtë proces vendimtar.
Hamza rikujtoi se nëntë vjet pas Konferencës së Rambujesë, Kosova shpalli Pavarësinë, duke e konsideruar këtë si vazhdimësi të rrugës së nisur drejt lirisë dhe shtetndërtimit.
Në mesazhin e tij, kreu i PDK-së nderoi heronjtë e Kosovës dhe shprehu mirënjohje për aleatët ndërkombëtarë, të cilët, sipas tij, e mbështetën Kosovën në çdo hap drejt lirisë dhe ndërtimit të shtetit.
“E ardhmja euroatlantike e Kosovës kërkon drejtësi e liri edhe për çlirimtarët tanë në Hagë, të cilët gjithnjë kanë qenë faktorë të stabilitetit dhe ndërtues të vizionit perëndimor të shtetit tonë”, ka shkruar ai.



