Hapet sezoni i gjuetisë
Në komunikatën e dërguar thuhet se duke u bazuar në këtë vendim, organizimi i gjuetisë do të bëhet nga menaxherët e vendgjuetive, si dhe nën mbikëqyrjen e organeve përgjegjëse të MBPZHR-së, ndërkaq aktivitetet e gjuetisë mund t’i kryejnë të gjithë menaxherët e vendgjuetive dhe të shoqatave të gjuetisë, të cilët i kanë hartuar planet vjetore sipas Ligjit për Gjuetinë dhe duke u bazuar në nenet e caktuara të Udhëzimit Administrativ për Planet Menaxhuese dhe Vjetore të Menaxhimit të Vendgjuetive.
Tutje në komunikatë thuhet se ndërkaq, këtë vendim obligohet që ta zbatojnë Agjencia Pyjore e Kosovës, Federata e Gjahtarëve të Kosovës, menaxherët e vendgjuetive, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe Drejtoritë Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.
Me poshtë janë pikat e vendimit:
1.Shpallet i hapur sezoni i gjuetisë për periudhën 2016-2017 për lloje të caktuara të kafshëve të egra në tërë territorin e Republikës se Kosovës.
2.Sezoni i gjuetisë shpallet i hapur nga data 06 Nëntor 2016 dhe gjuetia mund te organizohet vetëm gjatë ditëve të diela.
3.Gjuetia do të zhvillohet në reduktimin e llojeve të caktuara të kafshëve të egra në përputhshmëri të plotë me nenet 5, 8, 9, 10, 11 dhe 14 të Ligjit Nr. 02/L-53 për Gjuetinë, Udhëzimin Administrativ të MBPZHR Nr. 11/2007 për Sezonin e Gjuetisë, nenet 2, 3, 4, 6 dhe 11 të Udhëzimit Administrativ të MBPZHR Nr. 02/2008 për Përdorimin e armëve dhe municionit të përshtatshëm për gjueti, si dhe në harmoni me planet menaxhuese dhe operative vjetore të vendgjuetive.
4.Aktivitetet e gjuetisë mund t’i kryejnë të gjithë menaxherët e vendgjuetive dhe të shoqatave të gjuetisë, të cilët i kanë hartuar planet vjetore të vendgjuetive sipas Nenit 43 të Ligjit për Gjuetinë (Plani Vjetor i Menaxhimit) dhe duke u bazuar ne kriteret e Udhëzimit Administrativ, Nr. 08/2008 për planet menaxhuese dhe vjetore të menaxhimit të vendgjuetive.
5.Organizimi i Gjuetisë në bazë të këtij vendimi do të bëhet nga Menaxheret e vendgjuetive, si dhe nën mbikëqyrjen e organeve përgjegjëse të Ministrisë se Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
6.Gjahtarët mund të marrin pjesë në gjueti nëse e kanë të dhënë provimin për gjahtarë, sipas nenit 11 të Ligjit për Gjuetinë dhe sipas kritereve të Udhëzimit Administrativ Nr. 23/2007 për Programin për aftësimin e kuadrove në gjueti, si dhe të ketë lejen me shkrim nga menaxheri i vendgjuetisë.
7.Obligohet Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural -Departamenti i Pylltarisë, Agjencia e Pyjore e Kosovës, Federata e Gjahtarëve të Kosovës, Menaxherët e vendgjuetive, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, drejtoritë komunale për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural të Republikës së Kosovës për zbatimin e këtij vendimi.



