Haradinaj: Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur, të ndëshkohet Kurti për gjendjen në të cilën e ka sjellë
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar gjendjen politike dhe ekonomike në vend, duke theksuar se qytetarët përballen me varfëri, emigrim dhe shtrenjtim të jetesës për shkak të keqqeverisjes.
Ai u shpreh se ndihmat simbolike të Kurtit dhe vonesat në investime nuk adresojnë problemet reale, ndërsa proceset zgjedhore të shpeshta dhe shpenzimet e larta për to e kanë rënduar situatën.
Haradinaj theksoi se ndryshimi mund të vijë vetëm nga qytetari që ndëshkon fajtorët dhe merr fatin në duart e veta.
Postimi i plotë:
E dhimbshme kur jo-normaliteti shndërrohet në mënyrë jetese.Kur vendi qeveriset për një vit të tërë, në kundërshtim me krejt normat ligjore e kushtetuese.
Kur bëhemi vendi i vetëm me parlament të zgjedhur, por të pezulluar.Kur temat politike bëhen kryefjalë e debatit publik dhe qitet në harresë jeta e njeriut të zakonshëm.
Atij njeriu i cili detyrohet të gjejë strehë ekzistence nëpër botë e atje të kryejë punë të rënda, që jo rrallë i kushtojnë edhe me jetë, siç ishte rasti i tre qytetarëve fatkeqë që humbën jetën në një vendpunishte në Vjenë.Më nuk po flasim për vargun e njerëzve që po e braktisin Kosovën. Për ata që nuk e lidhin fillimin me fundin e muajit. Që tryezën e kanë përditë e më të varfër.
Për pushtetin që e shtrenjton rrymën sa herë që i teket. Për zhgënjimin e prindërve me sistemin shkollor të fëmijëve të tyre. Për të sëmurët që shërimin e kanë të papërballueshëm.E dhimbshme se si ndihmat prej 100 eurosh në prag të zgjedhjeve, që nuk janë më shumë se sa lëmoshë, po shndërrohen në mrekullinë e “çudibërësit”.
Si ndodhi që u zhdukën nga fjalori e preokupimi ynë investimet kapitale apo investimet e huaja? U harruan qindra tenderë njëburimorë, apo projektet e filluara vite më parë e që nuk po përfundojnë.Ata që nuk janë të zotët të kryejnë punë, zakonisht arsyetohen se Kosova nuk është Zvicër as Gjermani, por sa u përket çmimeve, shpeshherë jemi më Zvicër e Gjermani se sa ato vetë.
Jemi i vetmi vend që brenda një viti i mbajmë katër palë zgjedhje dhe ku e bllokojnë zgjidhjen e na çojnë prapë në zgjedhje. Ku një parti politike e vetme, veç për propagandë, shpenzon mbi 4 milionë euro për zgjedhje e shumë miliona të tjerë nga ata që janë të obliguar t’i organizojnë zgjedhjet, të gjitha këto para të taksapaguesve.Në gjithë këtë periudhë kohe të jonormalitetit politik e institucional, viktima e vetme ka qenë qytetari i Kosovës. Ai është varfëruar, ai është përballur me sfidën e mbijetesës, ai ka emigruar…
Prandaj sot është koha që ai ta marrë fatin në duart e veta. Këtë gjendje të rënduar mund ta ndryshojë vetëm sovrani dhe kjo bëhet vetëm duke ndëshkuar fajtorët për gjendjen në të cilën është.Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur. Këtu mund të sigurohet e ardhmja e sigurt jo vetëm për ne që jetojmë këtu, por edhe për ata qindra mijëra qytetarë që sot janë në diasporë.
Unë kam shpresë për ditë më të mira!



