Haradinaj në zyrën e kongresmenit Keith, i kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO
Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka qëndruar për vizitë në zyrën e kongresistit ameirkan, Keith Self, me të cilin, sipas një video të publikuar, ky i fundit i tregon medaljet ushtarake gjatë shërbimit të tij në luftën në Vietnam.
Haradinaj tha se Keith-it i ka folur për nevojën e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe e falënderoi për mbështetjen amerikane ndaj vendit.
“Në Kongresin Amerikan zhvillova një takim të hapur dhe miqësor me kongresmenin Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. E falënderova për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës dhe shpreha mirënjohjen time ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për qëndrimin e tyre krah kombit tonë nga liria te demokracia dhe pavarësia.
Theksova se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet rruga e drejtë për të ardhmen tonë dhe për forcimin e partneritetit tonë strategjik. Kongresmeni Self, ish-oficer i Ushtrisë Amerikane me 25 vjet shërbim dhe i diplomuar në West Point, ka përvojë të gjerë në Forcat Speciale dhe misione ndërkombëtare. U ndjeva i nderuar për këtë bashkëbisedim të veçantë”, shkroi Haradinaj.



